Bajrami i Madh, festë e kremtime edhe në rrethe

17/07/2015 00:00

Pasi kanë përmbyllur periudhën e agjerimit, besimtarët myslimanë të Kukësit janë falur në orët e para të mëngjesit në xhaminë e qytetit për Bajramin e Madh.

Në Kukës, në mesazhin e tij para besimtarvëve, myftiu Islam Hoxha e ka cilësuar mbylljen e muajit të Ramzanit si një përkushtim më shumë që bënë agjëruesit ndaj Krijuesit të tyre, Zotit, ndërsa festën e Fitër Bajramit si simbol të paqes, qetësisë shpirtërore dhe harmonisë.

Pas faljes së Namazit të festës, besimtarët shkëmbejnë vizita në familjet e të afërmve dhe miqve për të uruar një vit më të mbarë. Fiter Bajrami njihet si dita në të cilën myslimanët shpërndajnë lëmoshe, për ta festuar së bashku këtë festë, të pasur dhe të varfër.

Ashtu si në të gjithë vendin, edhe në Bulqizë qindra besimtarë myslimanë ishin të pranishëm në xhamitë e këtij rrethi, ku mëngjesin e sotëm u kryen ritet për Faljen e Namazit.

“Bajrami është dita e shpresave të reja, është dita e të kujtuarit për njëri-tjetrin, dita e një jete të re, e pendesës për gabimet, e projekteve dhe veprave të mira. Dita kur hatërmbetjet, xhelozia dhe smira marrin fund. Bajrami është solidarizim me mbarë shoqërinë. Zoti e ka veçuar Bajramin si moment gëzimi, prandaj neve na takon ta vlerësojmë në këtë mënyrë”, u shpreh  myftiu i Bulqizës, Sejdin Strazimiri.

Strazimiri tha se, Falja e Namazit të Fitër Bajramit në këtë ditë feste të muajit të Ramazanit është dita e shpërblimit dhe në këtë ditë të veçantë le të shtrëngojmë duart me njëri-tjetrin.

Edhe në Shkodër me mijëra besmitarë myslimanë i janë drejtuar mëngjesin e sotëm xhamive të qytetit për të kryer ritin e  faljes së Fitër Bajramit. Pjesa më e madhe e besimtarëve e kanë kryer faljen pranë rrugës kryesore, në qendër të qytetit, pranë xhamisë Ebu Beker.

Drejtuesit e Myftinisë së Shkodrës, në fjalën e tyre përcollën mesazhin e dashurisë për tjetrin dhe harmonisë fetare në këtë ditë të veçantë për gjithë besimtarët.

Në Peshkopi, besimtarët myslimanë kanë kryer ritet në ambjentet e Pallatit të Sportit. Ndërsa në Durrës ata kanë mbushur si gjithmonë sheshin kryesor të qytetit përballë xhamisë.

Në Elbasan, myftiu Agim Duka, në fjalën para besimtareve tha: “le të mbetet Bajrami i atyre të cilët thyen murin e egoizmit, përmes ndihmave, i atyre që treguan qetësinë shpirtërore, vëllazërinë dhe miqësinë, i atyre që ua hapën derën e shpirtit vëllezërve dhe motrave të tyre, i atyre që nuk i shtypën jetimët dhe atyre që nuk përbuzën te varfërit”.

Në fund të fjalës së tij, myftiu Duka u fal për situatën në të cilën ndodhen myslimanët në Irak, Siri, Jemen, Egjipt, Libi dhe Somali, duke bërë apel për ndaljen e terrorizmit, i cili tashmë po i afrohet Ballkanit.

Top Channel