Haxhinasto inspekton punimet në akset Pogradec-Lin dhe Qukës-Qafë Plloçë

17/07/2015 00:00

Ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto ka inspektuar punimet në aksin rrugor Lin-Pogradec. Segmenti, i cili prej vitesh është kthyer në një ndër më problematikët për shkak të gropave, pluhurit dhe baltës, tashmë po shkon drejt një qarkullimi normal të automjeteve.

“Vlen të theksohet që projekti ka pësuar një ndryshim të rëndësishëm, janë shtuar disa elementë të domosdoshëm për të respektuar standardin turistik të zonës, që janë dekorativë por edhe trotuari, që do t’i japë kësaj rruge një potencial të madh për të gjithë ata që dëshirojnë të vizitojnë liqenin e Pogradecit, apo dëshirojnë të praktikojnë sporte të ndryshme”, deklaroi Haxhinasto.

Kjo rrugë vetëm një muaj më parë përshkohej për një orë si pasojë e gjendjes së rëndë, ndërsa me hedhjen e shtresës së parë të asfaltit koha e udhëtimit është shkurtuar ndjeshëm, ndërsa është ulur edhe ndotja. Megjithatë, puna ende vazhdon sepse në rrugë nuk ka as tabela sinjalizuese dhe po bëhen edhe ndriçimi e gjelberimi.

Ministri i Transporteve, Haxhinasto është ndalur për një inspektim edhe në rrugën Qukës-Qaf Plloçë, e cila është në fazën e parë të ndërtimit. Punimet e saponisura në këtë aks parashikohet të zgjasin 3 vjet para se të mundësohet qarkullimi normal i automjeteve, ndërsa rruga Tiranë-Korçë do të shkurtohet rreth një orë.

“Kemi një sërë rrethesh që do përfitojnë nga ky segment. Distanca Tiranë-Korçë do shkurtohet rreth 1 orë. Kjo është vepra më e madhe e Autoritetit Rrugor Shqiptar, me një financim prej 150 milionë dollarë, me një standard të lartë gjeometrik”, tha Haxhinasto.

Ky investim kap vlerën e 145 mln dollarëve, afati i punimeve është 36 muaj, ndërsa rruga sjell zhvillim edhe për zonën tërësisht të izoluar të Mokrës.

Top Channel