Krerët e shtetit dhe politika urojnë Fitër Bajramin

17/07/2015 00:00

Ashtu si çdo festë fetare, drejtuesit më të lartë të shtetit dhe politikës shqiptare kanë uruar këtë të premte besimtarët shqiptarë për festën e Fitër Bajramit. Presidenti Bujar Nishani uroi të gjithë shqiptarët për më shumë mbarësi.

“Zoti ju fali shqiptarëve një vend të bukur dhe të bekuar, që ftoi për të punuar për mirëqënien e Shqipërisë dhe për ta shndërruar atë në tokën e begatë për të gjithë”, u shpreh Nishani.

Kryetari i Parlamentit, Ilir Meta uroi gjithashtu nga selia e Komunitetit Mysliman të gjithë shqiptarët për këtë ditë feste, “për mirëqënie, begati dhe harmoni për të gjithë”.

Ministri i Mirëqënies Sociale, Blendi Klosi uroi gjithashtu shqiptarët në emër të qeverisë. “Kjo është dita për të qenë më pranë atyre që janë më të dobët, është dita për të kujtuar që shteti duhet të jetë më solidar me të varfërit dhe për të qenë më pranë njëri-tjetrit, për të ndihmuar ata që janë më në vështirësi”, tha Klosi.
Këtë Fitër Bajram, vijoi ai, është hera e parë që nuk bëhet diskutimi i ndërtimit të xhamisë së re, pasi ajo tashmë ka nisur.

“Bashkë me Odën e Bektashinjve, ndërtimin e të cilës qeveria do ta nisë së shpejti, plotësohen të gjitha selitë e katër kulteve fetare në vend, si shprehja më e mirë e vlerës sonë të madhe, të harmonisë mes tyre”, shtoi Klosi.

Në emër të Partisë Demokratike uroi kryetari i grupit parlamentar, Edi Paloka. “Kjo është festa që pason muajin e sakrificës. Përmes sakrificës arrihen gjërat më të mira”, tha Paloka.

Top Channel