Linjë e re trageti Durrës-Bari- Durrës, Rama: Një kapitull i ri në transportin detar

17/07/2015 00:00

Transportit detar shqiptarë në drejtim të Italisë i është shtuar një kompani e re me një target të standarteve europiane i quajtur “Rapsodi”, për linjën Durrës-Bari dhe anasjelltas.

Në ceremoninë e inagurimit në portin e Durrësit kryeministri Edi Rama tha se ky është një moment i rëndësishëm për transportin në interes jo vetëm te emigrantëve shqiptarë, por edhe të atyre 20,000 italianëve që jetojnë dhe punojnë në vendin tonë.

“Për ne s’bëhet fjalë për ardhjen e një anije të re, po për hapjen e një kapitulli të ri, të shumë kërkuar me mundim në këtë periudhë të parë të qeverisjes sonë, për shkak se që në muajin e parë kemi qënë të vetëdijshëm që pasagjerëve që duan të përdorin rrugën detare për të shkuar dhe për të ardhur në Europë përmes Italisë nuk mundet dot t’u ofrohet niveli, standardet dhe shërbimi që është degraduar në vite dhe që u është imponuar si e vetmja mundësi në vitet e fundit. Jam i bindur se do të keni fitime nga Shqipëria, për fitime keni ardhur, se nuk keni ardhur për të bërë sevap. Nuk ju ka sjellë këtu Vatikani, por interesi ekonomik. Por jam po ashtu i bindur që dhe Shqipëria dhe shqiptarët kanë një përfitim të madh nga mbërritja juaj në portin e Durrësit”, tha kryeministri Rama.

Kryeministri njoftoi se së shpejti do të aplikohet një mënyrë e re menaxhimi për portin me të madh në vend, përmes një kompanie ndërkombëtare.

“Brenda harkut të një viti të lajmërojmë një tjetër histori suksesi në përpjekje të qeverisë shqiptare, Ministrisë së Transportit, për të sjellë në portin e Durrësit, për të administruar këtë aset të madh kombëtar, një nga kompanitë më të mëdha dhe më prestigjioze të botës, gjë që do të shënojë nëse do t’ia dalim me sukses në këtë përpjekje një kthesë historike për portin e Durrësit dhe të gjithë transportin detar në tërësi”, bëri të ditur z. Rama.

Ambasadori italian Massimo Gaiani tha se kompania italiane përmes tragetit “Rapsodi” sjell cilësi, kompetencë dhe eksperiencë.

Top Channel