Për një Maqedoni më të re

17/07/2015 00:00

Nga Enis Sulstarova – Nëse biem dakord se Maqedonia e vjetër është ajo e lashtësisë dhe Maqedonia e re është ajo e kohëve moderne, atëherë Maqedonia më e re është ajo që do të vijë, e projektuar në të ardhmen dhe që, në krahasim me shtetin e tashëm, duhet të jetë më legjitime, më e drejtë në aspektin etnik dhe me potencial më të madh zhvillimi për qytetarët e saj. Midis Maqedonisë së vjetër dhe të resë nuk ka asnjë lidhje: me përjashtim të emërtimit të njëjtë (i kundërshtuar nga Greqia), çdo lidhje tjetër është e shpikur për nevoja të sotme politike, siç është p.sh. projekti megaloman “Shkupi 2014”.

 Maqedonia e re e ka zanafillën në Luftën e Dytë Botërore. Karakteristika e saj e parë ka qenë legjitimiteti i jashtëm. Ajo u projektua nga Tito dhe elita partizano-komuniste për të mposhtur ndikimin bullgar në këtë pjesë të pushtuar të Mbretërisë Jugosllave dhe për të siguruar një bazë më të shëndoshë të Jugosllavisë socialiste. Me kohë u farkëtua edhe identiteti maqedonas, si një komb titullar në federatë, krahas sllovenëve, kroatëve, serbëve dhe malazezëve. Komunistët u kujdesën për kodifikimin e gjuhës, për themelimin e universitetit, Akademisë së Shkencave dhe të shërbimit të radiotelevizionit. Shqiptarët e Republikës Jugosllave të Maqedonisë gëzonin të drejtat e “kombësisë” në kuadër të federatës, por atyre iu bë e qartë që nëse do të kishin një qendër gravitacioni të tyren, kjo do të ishte jashtë Maqedonisë. Ata duhet të orientoheshin për nga Prishtina, qendra e krahinës autonome shqiptare, e cila në vitet ’70 u pajis me institucionet kulturore dhe arsimore pothuajse të njëjta me ato të republikave të tjera të federatës. Shkupi ishte i paracaktuar për të qenë kryeqyteti i kombit të ri maqedonas, prandaj shqiptarët zunë t’i largonin prej andej, si edhe prej qyteteve të tjera të rëndësishëm.

Me rënien e komunizmit, Maqedonia shpalli pavarësinë dhe u mor në mbrojtje nga fuqitë e mëdha ndërkombëtare, për të parandaluar një luftë që mund të dilte jashtë kuadrit jugosllav dhe mund të përfshinte shtete të tjera ballkanike. Shteti i ri u pranua nga të mëdhenjtë dhe shtetet fqinje si zgjidhja më e mirë para alternativës së ndarjes. Mirëpo Serbia nuk e njohu pavarësinë e kishës, Bullgaria ekzistencën e kombit, Greqia emrin kushtetues, ndërsa Shqipëria nuk paraqiti asnjë rezervë qysh në fillim, madje ofroi hapjen e porteve të saj për të kompensuar bllokadën greke në portin e Selanikut. Shqiptarët e Maqedonisë nuk përfituan aspak nga zemërgjerësia e “shtetit amë”. Maqedonasit e konsideruan shtetin e pavarur si kulminacionin e aspiratave të tyre historike kombëtare, ndërsa statusi kushtetues i shqiptarëve u përcaktua si pakicë etnike. Për të shprehur mospëlqimin e tyre, shqiptarët e Maqedonisë bojkotuan referendumin për pavarësinë e Maqedonisë, u përpoqën për një kohë për të ngritur një projekt për autonomi të quajtur “Ilirida”, por në fund partitë shqiptare filluan të merrnin pjesë në jetën politike të vendit, pa qenë në gjendje që të ndikonin në modelimin e institucioneve shtetërore. Këto të fundit ndoqën modelin e shtetit unitar dhe për këtë arsye shqiptarëve nuk u lejuan të kishin në gjuhën e tyre institucione arsimore të nivelit universitar, sepse u konsiderua se nuk u takonin pakicave etnike. Mungesat në legjitimitetin e brendshëm elita maqedonase i kompensonte me përkrahjen e jashtme, për sa kohë që vazhdonin luftërat në ish-Jugosllavi, për sa kohë që Millosheviçi ishte i plotfuqishëm në Beograd, Kosova nën terrorin e një pushtimi klasik dhe Shqipëria e përçarë dhe e çoroditur nga skamja, eksodet, lufta politike, mosfunksionimi i institucioneve të shtetit dhe intrigat ndërkombëtare. Shqiptarët e Maqedonisë, nëse u detyruan që të pranojnë pavarësinë e republikës si fakt të kryer, nuk do të thotë se u pajtuan me asimetrinë e trajtimit të tyre institucional. Kërkesa e tyre në vazhdim do të ishte kërkimi i statusit të kombit “shtetformues” krahas maqedonasve. Mirëpo veprimtaria konkrete e partive politike shqiptare zakonisht do të ishte në nivel më të ulët sesa i takonte misionit “shtetformues”.

Kriza e vitit 2001 u duk se do të sillte një hop cilësor në përfaqësimin politik të shqiptarëve në Maqedoninë e re. Të ndodhur përballë alternativës të një lufte të zgjatur, partitë kryesore të maqedonasve dhe ato të shqiptarëve miratuan Marrëveshjes Kornizë të Ohrit. Edhe pse marrëveshja iu servir shqiptarëve si realizim i aspiratës së tyre “shtetformuese”, ajo në fakt ishte më pak se kaq. Në thelbin e saj, Marrëveshja e Ohrit e ruante karakterin unitar të shtetit, sepse përjashtonte ndarjen e brendshme territoriale sipas vijave etnike. Në vend të kësaj, shqiptarët arritën rivizatimin e kufijve të disa komunave ku ata ishin shumicë, përdorimin e gjuhës shqipe në një pjesë të Shkupit, rritjen e kompetencave të komunave përmes decentralizimit dhe lejimin e arsimin universitar në gjuhën shqipe. Në Kushtetutë u shmang përmendja e shqiptarëve si popull shtetformues i republikës. Në vetvete, decentralizimi i pushtetit vendor nuk ka të bëjë me formën e shtetit, sepse ai mund të zbatohet si në rastin e federatave e konfederatave, po ashtu edhe në rastin e shtetit unitar. Madje, decentralizimi mund të përdoret enkas si një masë që ruan karakterin unitar të shtetit, sepse dobëson solidaritetin etnik me anë të shtimit të numrit e njësive vendore dhe duke mos lejuar shkrirjen e tyre me njëra-tjetrën. Institucionet qendrore të shtetit, si ato të sigurisë dhe të drejtësisë, që përbëjnë edhe thelbin e sovranitetit faktikisht mbeten vetëm në duart e maqedonasve. Për më tepër, pikat e Marrëveshjes së Ohrit që kishin të bënin pikërisht me përfaqësimin përpjesëtimor të shqiptarëve në institucionet qendrore të shtetit, mbetën në kalendat greke. Më pak se dy vjet pas nënshkrimit të marrëveshjes, një prej arkitektëve të saj, Arbën Xhaferri, ishte kaq i pezmatuar me ecurinë e reformave saqë radhiste arsyet pse Maqedonia duhet të ndahet! (Korrieri, Tiranë, 21.05.2003).

Statusin e pakicës për sa i përket pjesëmarrjes së shqiptarëve në institucionet qendrore të shtetit, partitë shqiptare u përpoqën që ta kompensonin me negociatat ndërpartiake midis partive maqedonase dhe shqiptare që dilnin fitimtare nga zgjedhjet, të cilat Arbën Xhaferri i quante si elemente të demokracisë konsocionale (angl. consociational democracy). Mirëpo pa mbështetjen e duhur të rregullimeve institucionale (p.sh. federalizmi), ky lloj i sistemit demokratik që bazohet mbi bashkëpëlqimin e elitave politike, degjeneron në pazare interesash midis kryetarëve të partive. Në këto kushte, ajo që ndodhi me partitë shqiptare në Maqedoni ishte forcimi i sistemit klientelist, por jo domosdoshmërish edhe i përfaqësimit të interesave kombëtare të shqiptarëve të Maqedonisë. Me ardhjen e Gruevskit në krye të nacionalistëve maqedonas dhe me fitoret e tij elektorale, elitat e dy partive kryesore shqiptare u zhytën thellë në korrupsion dhe iu nënshtruan plotësisht atij, duke bërë që Kryeministri të paraqitej para maqedonasve si “dora e fortë” që u tregon vendin shqiptarëve të pabindur. Ndërkohë që qeverisja e Gruevskit bëhej më autoritare, këtë e vuanin në radhë të parë shqiptarët, të cilët po e shikonin se kishin në dorë “çelësat e kashtës” në shtet. Ata jo vetëm panë se si fondet publike shpenzoheshin për “Shkupin 2014” që i veçonte edhe më lagjet shqiptare prej pjesës moderne të kryeqytetit, jo vetëm shquan mungesën e investimeve të qenësishme në komunat shqiptare, por edhe panë se si shteti i konsideronte si qytetarë të dorës së dytë që duheshin “disiplinuar” me ekspedita policore dhe me procese gjyqësore të montuara. Edhe për mënyrën se si u krye operacioni më i fundit policor-ushtarak në Kumanovë dhe për nga shkatërrimet që ai la pas, duket sikur organet shtetërore të sigurisë po vepronin në një territor armik. Edhe këtë radhë partia shqiptare në qeverisje dhe partia më e madhe shqiptare në opozitë u sollën sikur asgjë e jashtëzakonshme nuk ka ndodhur. Në fakt, incidenti i Kumanovës me prapaskenat që akoma nuk janë zbuluar plotësisht, tregon më së miri se çfarë pasojash sjell në një shtet shumetnik përqendrimi i monopolit të dhunës në duart e vetëm njërës palë, në emër të shtetit unitar që ajo e konsideron si të vetin.

Fryma e pajtimit historik që, sipas Arbën Xhaferrit, duhej të përshkonte Marrëveshjen e Ohrit, është e tashmë e shuar, edhe nëse ajo ka ekzistuar realisht ndonjëherë. Maqedonasit dhe shqiptarët nuk kanë besim te njëri-tjetri dhe arsyeja është çështja e pronësisë mbi shtetin. Përderisa maqedonasit nisen nga ideja e shtetit unitar, që u përket atyre, ata shohin me mosbesim se çdo “lëshim” ndaj shqiptarëve u rrit këtyre aspiratat për shkëputje. Paçka ankesave të politikanëve shqiptarë për moszbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe premtimit se ajo do të realizohet sapo ky apo ai të marrin votat, shqiptarët e Maqedonisë po e kuptojnë përditë e më shumë se Marrëveshja e Ohrit nuk mjafton. Atyre u nevojitet një ripërcaktim i ri i shtetit, që t’i bëjë bashkëpronarë të tij dhe t’u japë siguri për ekzistencën vetjake dhe kolektive. Ata nuk besojnë më te Maqedonia e re dhe janë në kërkim të alternativave.

Nuk përjashtohet që një pjesë e shqiptarëve do të vijojnë të parashtrojnë kërkesën për ndryshimin e kufijve të Maqedonisë dhe bashkëngjitjen e territoreve me dominim shqiptar Shqipërisë apo Kosovës. Sidoqoftë, duke pasur parasysh se fuqitë e mëdha të sotme (faktori ndërkombëtar) dëshirojnë ta ruajnë ekzistencën e shtetit tampon maqedonas në zemër të Ballkanit jugor dhe se Shqipëria e Kosova zyrtare nuk përkrahin ndonjë projekt të bashkimit kombëtar, i cili logjikshëm do të përfshinte dhe unifikimin e këtyre dy shteteve, atëherë na duket se kërkesa më realiste e politikës zyrtare të shqiptarëve të Maqedonisë do të ishte ajo e ripërcaktimit kushtetues dhe institucional të shtetit. Me fjalë të tjera, kërkesa për një Maqedoni më të re.

Projekti për një Maqedoni më të re (pavarësisht nga emërtimi që do të ketë ky shtet në marrëdhëniet ndërkombëtare) apo për “ridefinimin” e shtetit, duhet nisur nga realiteti dhe aspiratat historike politike të maqedonasve dhe shqiptarëve. Maqedonia më e re duhet të ndryshojë nga kjo e sotmja pikërisht në karakteristikën themelore: legjitimiteti i saj duhet të burojë nga brenda, ngase shteti do të jetë një kontratë e lidhur midis shqiptarëve e maqedonasve, si edhe popullatave të tjera që banojnë në të. Realiteti i tanishëm flet për dy shoqëri që jetojnë pothuajse të ndara nga njëra-tjetra dhe ndërtimi i institucioneve shtetërore duhet ta marrë parasysh këtë. Përderisa, si të thuash, Maqedonia është caktuar që të jetë një bashkëjetesë e detyruar midis maqedonasve dhe shqiptarëve, këtyre u duhet që të vendosin rregullat e veta për të shmangur sa më shumë fërkimet në këtë marrëdhënie. Krijimi i shtetit të Maqedonisë nuk ka qenë aspiratë e kombit shqiptar dhe ruajtja e këtij shteti nuk mund të bëhet në kurriz të interesit të tyre. Pasi Jugosllavinë e prishën vetë sllavët e jugut, shqiptarët e Maqedonisë nuk kanë përse të pranojnë të trajtohen si “kombësi” në një mini-Jugosllavi të re apo “si një kurban shqiptar i shtetit sllav” (Abdi Baleta, “Shenja”, korrik 2015). Në të tilla kushte, pjesëmarrja e shqiptarëve në një marrëdhënie simetrie me maqedonasit në shtetin e përbashkët mund të realizohet vetëm me anë të federalizimit të republikës. Zgjidhje të tjera që mund të ndërmerren për të shmangur “aspektin territorial” do të jenë të përkohshme, të paqëndrueshme dhe do të prodhojnë më shumë acarime ndëretnike. Federalizimi nuk është një zgjidhje e përsosur, por të paktën ajo prodhon qëndrueshmëri të shteteve. Shembujt e federalizimit e konfederalizmit mund të gjenden në Europë dhe në Ballkan. (Popujt e federatës së Bosnjë-Hercegovinës kanë më shumë të përbashkëta kulturore me njëra-tjetrën sesa kanë shqiptarët me maqedonasit.)

Gjithashtu, nuk duhet pritur se shqiptarët e Maqedonisë do të kënaqen me më pak të drejta sesa ka pakica serbe në Kosovë me Planin Ahtisari dhe me privilegjet e tjera që po fiton me dialogun. Krijimi i “Zajednicës” serbe në Kosovë do të prodhojë mëri jo vetëm te shqiptarët e Kosovës, por edhe tek ata të Maqedonisë, sepse këtyre të fundit do t’ua kujtojë dështimin e projektit të “Iliridës”. Prandaj, elita politike shqiptare në Maqedoni duhet që ta ndërtojë vizionin e saj të shtetit të ardhshëm në përputhje me aspiratat njerëzore dhe kombëtare të shqiptarëve që ajo përfaqëson dhe të praktikave të suksesshme të rregullimeve të marrëdhënieve ndëretnike në vendet demokratike. Një shtet simetrik për maqedonasit e shqiptarët dhe me të drejta të plota të qytetarisë demokratike për popujt e tjerë të Maqedonisë është në përputhje të plotë edhe me standardet europiane.

Maqedonia më e re, ajo federale apo konfederale, mund të mos ta shmangë përgjithmonë ndarjen eventuale të shtetit sipas vijave etnike. Një arsye themelore është se maqedonasit vetë mund të parapëlqejnë një ndarje të shtetit sesa shtetin dykombëtar. Prandaj, nëse nga bashkëjetesa e detyruar nuk lind një mirëkuptim i ndërsjellë për interesat kombëtare të secilës palë dhe një minimum bashkëpunimi për interesin e përbashkët, atëherë maqedonasit dhe shqiptarët duhet që të shkojnë në rrugët e ndara, qoftë edhe brenda Bashkimit Europian. Mirëpo, së paku Maqedonia (kon)federale do të ketë përgatitur kushtet për një ndarje të qytetëruar (ngjashëm me ndarjen e Çekosllovakisë). Maqedonia më e re mund të jetë prolog i ndarjes së saj, por të paktën ndarja nuk do të jetë aq dramatike sa në rastin hipotetik kur ajo do të ndodhte me ngutin e shkaktuar prej ngjarjeve të paparashikueshme.

Top Channel