Kosovë, Tërnava: Kundërshtojmë çdo terror me ngjyrime fetare

17/07/2015 00:00

Gjatë fjalimit pas faljes së Namazit për Bajramin e Madh, Myftiu Tërnava ka rikonfirmuar përkushtimin e Bashkësisë Islame të Kosovës kundër çdo terrori me ngjyrime fetare. Tërnava tha se, për asnjë çmim nuk do të lejohet që dikush të fusë pasiguri, mosbesim dhe vrasje mes nesh.

“Nuk ka asgjë më me rëndësi në një shoqëri sesa përkushtimi i të gjithëve për siguri, paqe, harmoni, mirëbesim, respekt e nderim ndaj njëri-tjetrit. Nuk guxojmë me asnjë çmim të lejojmë që dikush t’i bëjë keq vendit tonë duke futur pasiguri, mosbesim e vrasje mes nesh. Rikonfirmojmë edhe njëherë në emër të Bashkësisë Islame të Kosovës dhe të besimtarëve myslimanë se jemi kundër ekstremizmit të çfarëdo ngjyrimi fetar, qoftë kundër terrorizimit në emër të fesë”, tha Tërnava.

Ai u shpreh se, ky Bajram vjen pas një sakrifice të madhe, që e kanë bërë të gjithë besimtarët anekënd botës, e që është vetëm për Zotin e madhërishëm. Lutjet e Fitër Bajramit u kryen në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.

Besimtarët myslimanë u mblodhën në Xhaminë e Madhe në Prishtinë. Tërnava i përgëzoi ata për përmbushjen e njërit prej detyrimeve kryesore të fesë islame, siç është agjerimi.

Myftiu tha se, Kurani mbështet konceptet e moralit e dashurisë mes njerëzve, ndaj përmes agjerimit përhap ndjenjën e përkushtimit, dashurisë e respektit, harmonisë dhe kënaqësisë.

Myftiu Tërnava ishte i shoqëruar edhe nga kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Sabri Bajgora. Për këtë festë është organizuar dhe pritja tradicionale në ambjentet e BIK.

Top Channel