Flakët përfshijnë pyjet në periferi të Athinës, rrezikohen edhe banesat

17/07/2015 00:00

Sikur të mos mjaftonin problemet ekonomike, Greqia është përfshirë edhe nga zjarre të fuqishme që po kërcënojnë banesa dhe qindra banorë.

Sipas forcave zjarrfikëse, janë disa vatra zjarresh që po digjen në Malin Imitos në periferi të Athinës. Flakët kanë përfshirë zonën Karea dhe po digjen pisha në afërsi të banesave. Re tymi kanë mbuluar një pjesë të madhe të kryeqytetit grek, teksa vijon operacioni për shpëtimin e disa murgeshave që ndodhen në një manastir.

Të paktën një banesë është djegur plotësisht dhe ka raportime për një 58-vjeçar të vdekur nga asfiksimi. Në rrezik janë edhe shtyllat e tensionit të lartë.

Në terren ndodhen me qindra forca zjarrfikëse, ndërsa helikopterë dhe avionë po hedhin sasi të mëdha uji nga ajri. Ministri i Mbrojtjes së Qytetarit, Janis Panusis dhe ai i Mbrojtjes, Panos Kamenos deklaruan se po bëhet ç’është e mundur për shuarjen e flakëve.

Përpjekjet e zjarrfikësve vështirësohen së tepërmi nga temperaturat e larta të sezonit dhe erës së fortë që fryn në Athinë. Probleme me zjarret janë vënë re edhe në Peloponez, ku rrezikoi të digjej një fshat i tërë. Edhe këtu, helikopterë dhe avionë të forcave zjarrfikëse kanë filluar hedhjen e ujit nga ajri. Një avion i zjarrfikësve u gjend në vështirësi e kreu ulje të detyruar dhe për fat të mirë, dy pilotët mundën të shpëtonin.

Top Channel