Kosovë, Mustafa takon Tërnavën; urime për Fitër Bajramin

17/07/2015 00:00

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, me rastin e Fitër Bajramit vizitoi sot Bashkësinë Islame të Kosovës, ku u prit nga myftiu Naim Tërnava.

Duke uruar myftiun Tërnava dhe të gjithë besimtarët myslimanë të Kosovës, Mustafa theksoi se festa e Bajramit është një ditë që i bashkon të gjithë besimtarët dhe përkujton se duhet të zhvillohet solidariteti, toleranca e të punohet bashkarisht për të mirën e njerëzimit.

“Ne erdhëm sot të vizitojmë Bashkësinë Islame, t’i urojmë myftiut dhe të gjithë bashkëpunëtorëve të tij, por edhe të gjithë besimtarëve islamë Ditën e Bajramit. Një ditë që është shumë e rëndësishme për ne të gjithë, sepse është një ditë e cila na bashkon edhe në familje, na bashkon edhe me miqtë, na bashkon edhe me të gjithë të tjerët që nuk kemi mundësi që t’i shohim dhe t’i vizitojmë shpesh, por edhe na përkujton me faktin se ne duhet të zhvillojmë solidaritetin, duhet të zhvillojmë tolerancën, duhet të punojmë bashkarisht për të mirën e njerëzimit”, tha kryeministri Mustafa.

Gjatë vizitës në Bashkësinë Islame të Kosovës, bashkë me kryeministrin Isa Mustafa, ishin edhe zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli dhe ministri i Financave, Avdullah Hoti.

Top Channel