Kosovë, kalendar kulturor për pritjen e diasporës

17/07/2015 00:00

Vera shënon stinën e kthimit në Kosovë të mijëra bashkatdhetarëve shqiptarë që jetojnë në vende të ndryshme të botës e që për çdo vit i kalojnë pushimet në vendlindje.

Kthimi i tyre nuk mbetet pa u vënë re, jo për faktin se janë të shumtë në numër, por sepse në atdhe i mirëpresin me ngjarje kulturore të dedikuara për bashkatdhetarët.

Të tilla janë koncertet, panairet e ceremoni të ndryshme. Ministria e Diasporës në koordinim edhe me institucione të tjera dhe komunat e Kosovës kanë organizuar evente të ndryshme kulturore gjatë muajve korrik dhe gusht, kur është dhe vala më e madhe e emigrantëve.

Krahas aktiviteteve nëpër komuna, Ministria e Diasporës këtë vit ka bërë edhe një kalendar me ngjarjet kryesore që do të mbahen.

“Këtë vit kemi diçka të veçantë sepse Ministria e Diasporës, në bashkëpunim me të gjitha institucionet, përfshirë edhe komunat, ka përgatitur aktivitete, ka përgatitur një kalendar kulturor, në mënyrë që diaspora të jetë sa më e informuar kur të vijë në Kosovë. Ndër të tjera, me datë 25 korrik, nga Fondacioni ‘Dritan Hoxha’ dhe Top Channel do të mbahet panairi i produkteve shqiptare në orën 17, ndërsa në ora 20 do të mbahet festivali veror Summerfest 2015”, thotë Remzije Makolli nga Ministria e Diasporës.

Panairi i produkteve shqiptare dhe festivali veror Summerfest do të mbahen në sheshin Skënderbeu në Prishtinë. Këtë vit, bashkatdhetarët ftohen edhe të regjistrohen në pikat kufitare të hyrjes në Kosovë, si dhe në Aeroportin e Prishtinës.

Regjistrimi, i cili bëhet online, tashmë mund të kryhet edhe fizikisht gjatë kthimit, por edhe nëpër sheshet e qyteteve kosovare ku organizohen  ngjarjet kulturore për diasporën.

Top Channel