Përvjetori i rrëzimit të “MH17”; gazeta australiane, video me separatistët pro-rusë

17/07/2015 00:00

Shërbesa përkujtimore janë mbajtur në përvjetorin e parë të rrëzimit të avionit të “Malaysian Airlines” në Ukrainë, një episod fatkeq që i kushtoi jetën 298 personave.

Rusia dhe Perëndimi ende vazhdojnë të kenë përplasje përsa i takon përgjegjësisë së asaj ngjarjeje të rëndë.

“Kjo ishte vërtet një mizori”, deklaroi kryeministri australian Tony Abbott përpara një pllakati përkujtimor ku janë gdhendur emrat e 38 viktimave nga Australia.

Mëngjesin e sotëm, gazeta “Sydney’s Daily Telegraph” publikoi online një video për të cilën tha se tregon separatistët pro-rusë duke rrëmuar në bagazhet e pasagjerëve të fluturimit “MH17”.

Sipas kryeministrit Abbott, këto pamje nxjerrin edhe një herë në pah faktin se rrëzimi i avionit malajzian nuk ishte aspak një aksident.

Në bordin e avionit që fluturonte nga Amstërdami për në Kuala Lumur korrikun e vitit të kaluar, kishte edhe shtetas holandezë, belgë e malajzianë.

Top Channel