Atentatori i marinarëve, një ekstremist me origjinë nga Kuvajti

17/07/2015 00:00

“Jeta është e shkurtër dhe e hidhur. Myslimanët nuk duhet ta lënë të kalojë mundësinë e nënshtrimit ndaj Zotit”. Këtë postim në blogun ku shkruante prej disa kohësh, Mohammad Youssuf Abdulazeez e kishte bërë të hënën.

Tre ditë më vonë, 24 vjeçari do të hapte zjarr në dy qendra ushtarake të Tenesit, duke vrarë katër pjesëtarë të Marinës Amerikane përpara se të qëllohej për vdekje nga forcat e sigurisë.

Abdulazeez, i përshkruar nga presidenti Obama si një “sulmues vetmitar”, çka do të thotë se nuk besohet të ketë pasur bashkëpunëtorë në këtë krim, thuhet të jetë nga Kuvajti e dikur ka qenë dhe i apasionuar pas sportit të mundjes.

Policë të armatosur bastisën shtëpinë ku ai jeton, pak milje larg Çatanugës në Hiksson. “Associated Press” raporton se dy gra janë larguar prej andej nga forcat e rendit me pranga në duar.

Sipas mediave lokale, një zëdhënës i Universitetit të Tenesit ka pohuar se një student me të njëjtin emër si agresori është diplomuar atje në 2012-n për inxhinjeri. Përpara kësaj ai kishte ndjekur mësimet në gjimnazin “Red Bank High”, një shkollë me gati 800 nxënës.

Disa prej tyre kanë shpërndarë në internet fotografi nga libri vjetor, ku Abdulazeez shihet i veshur me një xhaketë elegante e me kollarë, e në krah ka një shkrim ku thuhet: “emri im shkakton alarm të sigurisë kombëtare. Emri yt çfarë bën?”.

Të shtënat filluan rreth orës 10 e 30 apo 10 e 45 me orën lokale. Ata që ishin në vendngjarje rrëfejnë se pati 30 deri në 50 të tilla. Sulmuesi pastaj u drejtua për tek Qendra e Mbështetjes Operacionale të Marinës dhe ajo e Trupave Rezervë, rreth dhjetë kilometra më larg.

Edhe këtu qëlloi me breshëri. Presidenti Obama e cilësoi sulmin “një episod që të copëton zemrën” dhe premtoi se hetimet do të jenë të shpejta e të plota.

Top Channel