Debat për ligjin e ri të pronave, pronarët: Nuk njeh kthimin fizik të pronës

17/07/2015 00:00

Përfaqësues të pronarëve kundërshtojnë ligjin e ri për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit, duke deklaruar se ai shkel parime të së drejtës, nene të Kushtetutës dhe Kartës Europiane të të drejtave të njeriut.

“Është hequr koncepti i kthimit të pronës, nuk ka më kthim të pronës por ka kompensim dhe ky kompensim do të bëhet sipas qejfit dhe interesit të qeverisë duke e vlerësuar me çmimet e ’45 për pronarët dhe duke vlerësuar tokën me çmimet e ’15 për shtetin”, tha Agim Toro, sekretar i përgjithshëm i shoqatës “Pronësi me drejtësi”.
 
Por kreu i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave hedh poshtë këto pretendime si dhe sqaron formulën për kompensimin financiar të 26 mijë dosjeve që prej 23 vitesh presin për tu kompensuar në favor të pronarëve pa përcaktuar mënyrën se si, si dhe 9300 dosjeve të tjera që do të shqyrtohen në një afat tre vjecar, sipas ligjit të ri.

“Në qoftë se pronarët nuk e kanë kuptuar që ky draft ligj njeh procesin e kthimit si një proces njohje prone dhe kompensimi fizik në pronën e njohur atëherë ky është një sqarim të cilën në ditët e ardhshme me siguri do ta bëjmë me njëri tjetrin. Instrumenti është i njëjtë për të tërë ata që në vitin e shpronësimit e kanë patur tokën zë kadastral tokë bujqësore dhe sot e kanë tokë truall do të kompensohet me zërin kadastral tokë bujqësore por me vlerën aktuale të tregut për këtë zë kadastral”, thotë Sonila Qato, drejtoresha e AKKP-së.
 
Për përfaqësuesit e pronarëve shtyrja e afatit të legalizimeve thellon më tej problemet sa i përket zgjidhjes së çështjeve të pronësisë. Por zonja Qato sqaron se me ligjin e ri hiqet pengesa që me legjislacionin aktual bllokonte njohjen e pronësisë deri me përfundimin e legalizimeve.

“Vazhdojnë ndërtimet pa leje…ishte ligji i legalizimeve deri në 2006 u shty në 2014 pas dy vitesh do të vijë një tjetër fushatë elektorale do të thonë të legalizohen edhe ata të 2016 punë e madhe..pronarëve su japim lekë e gjetëm zgjidhjen”, vijon Toro.

“Drafti i ri kapërcen këtë lloj pengese duke e rregulluar në dy mënyra në zona informale dhe zona urbane…në Zonat informale propozon njohjen e pronësisë dhe vendosjen për kompensim të këtyre pronave me qëllim për ti dhënë rrugë të lirë planifikimit urban nga ana e qeverisë në zonat urbane hiqet pengesa për njohjen e pronësisë dhe ka vendimarrje sipas rastit për kompensim pronash”, thotë znj. Qato.
 
Ligji i ri vendos një afat 3-vjeçar për shqyrtimin e 9300 dosjeve, afat 6 mujor për të gjithë ata që nuk kanë patur mundësi të aplikojnë deri më tani për njohje pronësie, afat 3 deri në 4 vite për vlerësimin e kompensimit financiar për 26 mijë dosje të tjera që u është njohur e drejta e pronësisë dhe celjen e fondit me vlerë mesatare vjetore 5 mld lekë, për kompensimin e pronarëve për një afat 10-vjeçar. 

Top Channel