Legalizimet, Lame: Përfitojnë 50 mijë familje dhe 21 mijë ish-pronarë

17/07/2015 00:00

Nga kjo e premte filloi zyrtarisht vetëdeklarimi për fazën e re të ndërtimeve pa leje. Bëhet fjalë për rreth 50 mijë objekte të ndërtuara nga viti 2009 deri në 2014-ën. Por në këtë faze ALUIZNI-t do t’u japë prioritet emigrantëve duke qenë se ata vijnë për një kohë të kufizuar në Shqipëri.

Për të na dhënë me shumë informacione për këtë fazë të re të vetëdeklarimit, i ftuar në studion e edicionit qendror informativ  në Top Channel ishte drejtori i ALUIZNI-t, Artan Lame.

Ilir Paço: Çfarë rëndësie merr ky proces i ri i vetëdeklarimit të ndërtimeve pa leje dhe çfarë garancie ka që në Shqipëri nuk do të ndërtohet më pa leje dhe që nuk do të ketë sërish legalizim të këtyre objekteve?

Artan Lame: Shumica e 50 mijë objekteve e kanë bërë vetëdeklarimin, por ligji nuk ua lejonte legalizimin. Kjo masë nuk mund të trajtohej dhe  qytetarët prisnin një zgjidhje. Ne u akuzuam që këtë po e bënim për efekte elektorale, fakti që hyri në fuqi tani, tregon që çështja ishte e gjitha tek zgjidhja e problemit. Bëhet fjalë për qytetarët që kanë ndërtuar nga janar i 2009 deri në 2014, kur ka hyrë në fuqi ligji i legalizimeve. Këtu e gjithë kjo fashë do të trajtohen si pjesa tjetër e ndërtuesve pa leje, me procedura tërësisht falas.

Ilir Paço: Mijëra ndërtime pa leje që janë ngritur ndër vite në vend janë cilësuar një bombë sociale. Në përfundim të gjithë këtij procesi jo të lehtë të legalizimit, cilat janë anët pozitive?

Artan Lame: Kjo ka një të mirë të madhe për dëshmpërblimin e pronarëve dhe ish-pronarëve që u është zënë toka nga ndërtimet pa leje. Ky ligj u hap shteg 21 mijë familjeve të ish-pronarëve të marrin shpërblimin e pronës së zënë.

Ilir Paço: Ndërtimet pa leje kanë qenë një bombë sociale, me mbylljen e fazës së vetëdeklarimit për gati 50 mijë objektet e ndërtuara në vitet 2009-2014 dhe me përfundimin e gjithë procesit të legalizimit, çfarë ndodh me këto zona?

Artan Lame: Është një nga bombat sociale më të mëdha të vendit, që ka ardhur duke u fryrë nga papërgjegjshmëria politike. Problemi ka hyrë në rrugën e zgjidhjes, ajo që është e rëndësishme është vijimi me qetësi pa emocione i procesit. Kjo është mbyllja e një hallke për të hapur një hallkë tjetër, që është ajo e integrimit dhe organizimit të këtyre zonave me qytetin.

Top Channel