Sulmet terroriste të ISIS në Irak, 120 të vrarë dhe 130 të plagosur

18/07/2015 00:00

120 të vrarë, 130 të plagosur e bilanci i viktimave mund të rëndohet akoma më shumë: dy shpërthime të fuqishme kanë rikthyer terrorin e sulmeve vrastare në Irak ku prej kohësh mbizotëronte një qetësi që ngjalli shpresa se situata në vendin e trazuar kishte hyrë më në fund në rrugën e stabilizimit.

Skenë e sulmeve të përgjakshme është bërë qyteti me shumicë shiite i Khan Bani Saad-it, në veri të kryeqëndrës Bagdad. Mes të vdekurve ka dhe fëmijë të cilët po kremtonin bashkë me të tjerët fundin e muajit të shenjtë të Ramazanit. Përgjegjësinë e aktit mizor e mori përsipër Shteti Islamik. Një deklaratë e grupit që kontrollon territore të mëdha në Irak, sqaron se një pjestari i tij kishte hyre mes turmës së njerëzve me një makine të mbushur me eksplozivë.

Një zyrtar i policisë, Ahmed al-Tamimi i tha agjencisë se lajmeve Reuters se dëmi ishte tmerrësisht i madh. Detajet e përcjella prej tij paraqesin tablonë e një ferri të vërtetë: njerëzit, shprehet al Tamimi, kanë përdorur arkat e fruta-perimeve për të mbledhur pjesët e trupave të copetuar të fëmijëve.

Autoritetet e provincës së Diyala-se shpallen tre ditë zije për viktimat e vendosën të anullojnë festimet e Fiter Bajramit, të cilat shiitet në këtë vend i nisën një ditë me vonesë. Militantët e Isis-it janë përfshirë në luftime të ashpra me forcat qeveritare irakiane në veri dhe në perëndim të vendit. Grupi i dhunshëm ekstremist mori muajin e kaluar nën kontroll disa pjesë të Diyala-së, por edhe pse më vonë e detyruan të zbrapsej prej andej, ka ende luftëtarë të tij që veprojnë në këtë rajon.  

Top Channel