Formula 1 në zi, ndërron jetë Jules Bianchi. U aksidentua para 9-muajsh në Japoni

18/07/2015 00:00

Piloti i Formula 1, Jules Bianchi ka ndërruar jetë në spital nëntë muaj pas aksidentit të tmerrshëm në Çmimin e Madh të Japonisë.

25-vjeçari ka qenë në koma që nga tetori i 2014-ës, pas përplasjes me një vinç, i cili po largonte një tjetër makinë në atë moment.

Familja e tij njoftoi në orët e para të së shtunës se piloti ka mbyllur sytë për herë të fundit pak para se të shënonte data 18 korrik.

“Me dhimbje të madhe, duam t’ju njoftojmë se Jules Binachi ka vdekur në Centre Hospitalier Universitaire në Nicë të Francës, në të cilin gjendej që pas aksidentit të 5 tetorit në cirkuitin e Suzukës gjatë Çmimit të Madh të Japonisë. Jules luftoi deri në fund, ashtu siç ka bërë gjithmonë, por sot beteja e tij merr fund. Dhimbja është e madhe dhe e papërshkrueshme”,  thuhet në njoftimin e familjes.

Familja ka falënderuar të gjithë mjekët që janë përkujdesur për Jules, duke nisur nga ata të spitalit japonez të cilët e morën nën përkujdesje që pas aksidentit e deri tek ata francezë të cilët e mbikëqyren deri në çastet e fundit të jetës.

Top Channel