Vrau për gjakmarrje, Prokuroria kërkon burg për jetë

18/07/2015 00:00

Prokuroria për Krime të Rënda kërkon dënimin me burgim të përjetshëm për shtetasin Skënder Baku, i akuzuar si pjesëmarrës në vrasjen e shtetasit Lulëzim Shera, ndodhur në shtator të 2013-s, në aksin rrugor Fushë-Krujë-Laç.

Hetimi dhe gjykimi për të pandehurin është kryer në mungesë, ndërkohë që gjykata pranoi kërkesën e avokatit mbrojtës për gjykim të shkurtuar dhe për këtë Prokuroria për Krime të Rënda kërkon që dënimi përfundimtar të jetë 35 vite burg.

Sipas Prokurorisë, vrasja ka ndodhur për gjakmarrje. Gjithçka ka nisur në vitin 1992, kur viktima Shera, në atë kohë i dënuar në burgun 313, ka vrarë me sende të forta Arjan Bakun, vëllain e Skënder Bakut.

Për këtë vepër penale, viktima Lulëzim Shera, në atë kohë, u dënua me 20 vite burgim dhe doli nga burgu në vitin 2010.

Pas daljes nga burgu, Lulëzim Sherës i është ngritur pritë në fshatin Nikël nga Skënder Baku dhe një tjetër person, që nga hetimet e deritanishme nuk është identifikuar ende. Prokuroria thotë se vetë Skënder Baku, pavarësisht se ishte prezent, nuk ka qëlluar drejt Sherës, por u provua se ai ishte organizator i vrasjes.

Gjatë kohës që Lulzim Shera ishte në burg, familjarë të tij kishin kërkuar paqtim me familjen Shera, gjë e cila nuk u është pranuar asnjëherë.

Top Channel