Ngjarja tek “Don Bosko”, arrestohen tre persona. 29-vjeçarja u plagos rastësisht

18/07/2015 00:00

Tre persona janë arrestuar lidhur me ngjarjen e një ditë më parë në “Don Bosko” në Tiranë, ku mbeti e plagosur një 29-vjeçare. Policia e Tiranës bën të ditur se e reja është plagosur aksidentalisht, pasi të arrestuarit kanë shkëmbyer zjarr me persona të paidentifikuar.

Në pranga kanë rënë Kreshnik Budlla, 41 vjeç, Rinald Budlla, 27 vjeç, dhe Alfred Levani, 42 vjeç. Ndërkaq po procedohet në gjendje të lirë SH. H, 38 vjeç, banues në Shijak, i dënuar më parë për vjedhje me armë. Këtij të fundit gjatë kontrollit në banesë i janë gjetur armë gjahu e llojit çifte dhe 24 copë fishekë arme gjahu.

Sipas burimeve zyrtare këta persona në verandën e një lokali kanë shkëmbyer zjrr me persona të paidentifikuar, ku si rezultat mbeti e plagosur Rozarta Lakrori, 29 vjeç. Ajo ka qenë rastësisht në këtë lokal me bashkëshortin dhe foshnjën që fatmirësisht nuk ka pasur dëmtime. 29-vjeçarja u transportua në Spitalin Ushtarak, ku dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Në cilësinë e provës materiale, janë sekuestruar gëzhoja arme zjarri, 1 fishekë armë zjarri e pa goditur dhe një predhe arme zjarri.

Top Channel