Asambleja Kombëtare e PS-së, Rama: Dy objektivat e qeverisë, drejtësia dhe negociatat me BE-në

18/07/2015 00:00

Shqipëria do të kërkojë hapjen e negociatave me BE-në, vitin e ardhshëm, objektiv që kreu i qeverisë e ka deklaruar gjatë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të PS.

Prova e madhe për BE-në do të jetë miratimi i reformes në drejtësi në vjeshtë.

“Do të mundësojmë kështu çeljen e një beteje të madhe pa asnjë kompromis dhe tolerancë në terrenin e minuar të korrupsionit në sistemin e drejtësisë. Por dhe arritjen e objektivit për të çelur negociata për anëtarësim vitin e ardhshëm”, tha Rama.

Edi Rama, që ka nisur të flasë për herë të parë për datë për çeljen e negociatave, u shpreh i bindur se Shqipëria do të përmbushë detyrat e saj, pavarësisht se kjo varet edhe nga ai që quhet “oreksi i BE-së”.

“Besoj se do të shkojmë shumë fort në atë moment, qoftë sepse reformat tona do të vazhdojnë deri atëherë ta rrisin besueshmërinë e vendit tonë. Qoftë se në planin e jashtëm kemi bërë përparim të pamohueshëm dhe nga më skeptikët. Dinamika e re e politikës së jashtme të Shqipërisë, në lidershipin e ministrit tonë të Jashtëm, nuk është opinion por është fakt i njohur nga të gjithë”, u shpreh kreu socialist.

Kreu i ekzekutivit shqiptar renditi arritjet e qeverisë që drejton në këto 2 vjet dhe në fund, me tone realiste tha se jo të gjitha kanë ecur si duhet dhe sa duhet.

Llogaria do të jepet pas dy vjetësh, u kujtoi Edi Rama anëtarëve të forumit të lartë drejtues, ku PS do të kërkojë një mandat të dytë qeverisës në zgjedhjet e 2017-ës.

Qëllimi i shpallur nga kreu socialist ishte një fitore, siç e quajti ai, po aq “spektakolare” sa e 2013-ës dhe 2015-ës. Për këtë qëllim, kryesocialisti  shpalli atë që quajti “Stina e re e PS-së”,  një proces riorganizimi i partisë që përmbledh dy faza: e para është hapja përmes një fushate të re anëtarësimesh.

“Më synim përmbushjen e një objektivi plotësisht të detyrueshëm dhe të arritshëm që në vitin e 25-vjetorit të themelimit të sa, PS të jetë forcë politike e 150 mijë anëtarëve të regjistruar si pjesë e saj. Së dyti, hapja e një procesi të ri zgjedhor në të gjitha nivelet e organizimit të PS-së me synim riorganizimin e plotë të saj dhe fillimin me energji dhe forca të përtërira të rrugëtimit drejt fitores të vitit 2017”, bëri të ditur Rama.

Dixhitalizimi i anëtarësisë, kryerja e reformës statutore, rritja e partisë tek emigrantët, ishin disa nga detyrat e lëna nga Edi Rama për dy grupet e punës, që do të ngrihen për të përgatitur reformat organizative për Kongresin e socialistëve që do të mbahet në 2016.

Për Edi Ramën, që ka pasur edhe zëra qortues brenda partisë për organizimin e PS-së dhe neglizhencë në mbledhjen e forumeve, duhet të jetë i qartë produkti nga procesi i nisur nga kjo Asamble.

“Të prodhoni rregulla të zbatueshme nga të gjithë, në mënyrë që demokracia e brendshme të prodhojë kulturë pune, solidariteti dhe llogaridhënie, jo llafe rrugësh e protagonizma destruktive apo shthurrje organizative siç ka ndodhur rëndom”, përfundon Rama.

Top Channel