Bota sportive vajton humbjen e Jules Bianchi-t

18/07/2015 00:00

Ndarja nga jeta e Jules Bianchi ka tronditur botën e Formula 1. Çdokush në këtë botëror ka ndjerë një dhimbje të madhe për humbjen e pilotit francez në moshën 25-vjeçare.

Rrjetet sociale, Twitter e Facebook, u kthyen në mjet për të gjithë pilotët dhe drejtues të skuadrave të Formula 1 për të shprehur ngushëllimet e tyre duke filluar nga Ferrari te Button, nga Vettel te Grosjean.

“Mirupafshin Jules! Do jetë përgjithmonë në zemrën  tonë”, lexohet në postimin e Ferrarit në Twitter.

Rrjetin social Twitter përdori edhe piloti i Red Bull, Daniel Ricciardo i cili në mesazhin e tij shkruante: “Nuk do të harroj kurrë ty dhe kohët e bukura që kemi kaluar bashkë. Do ta ndjejmë mungesën tënde”.

Nuk mund të mos qëndronte pa shprehur keqardhjen e tij për humbjen as Sebastian Vettel: “Ngushëllimet e mia shkojnë për familjen dhe miqtë e Jules Bianchi në këtë moment të vështirë. U prehsh në paqe!”, shkruan Vettel.

Ndërsa Jenson Button në mesazhin e tij shkruan: “Humbëm një djalë të shkëlqyer dhe një luftëtar të vërtetë! Ngushëllimet më të sinqerta për familjen dhe miqtë e tij”.

Mesazhe ngushëllimi për Jules Bianchi kanë ardhur edhe nga bota e MotoGP, ku ata që u shprehën ishin Horge Lorenzo dhe Marc Marquez. “Vdekja e Jules Bianchi ishte një lajm i trishtuar”,lexohet në komentin e Lorenzos. Ngushëllimet shkojnë për familjen e tij”.  Ndërsa Marq Marquez, në profilin e tij në Twitter shkruan: “Të gjitha ngushëllimet për familjen e Jules Bianchi. U prehtë në paqe!”.

Top Channel