Bajern autorizon Juventusin për të biseduar me Gotze-n

18/07/2015 00:00

Transferimi i Mario Gotze-s te Juventusi nuk është një mision i pamundur për bardhezinjtë. Drejtuesit e kampionëve të Italisë kanë marrë dritën jeshile të klubit bavarez për të nisur bisedimet direkte me lojtarin për blerjen e mundshme të tij.

Mario Gotze nuk ka raporte të mira me trajnerin e Bajernit të Mynihut, Pep Guardiola dhe për këtë arsye drejtuesit e kampionëve të Gjermanisë po kërkojnë një zgjidhje që të garantojë qetësinë maksimale për teknikun spanjoll si dhe mundësinë që Gotze të luajë më shumë, por pa e humbur plotësisht kontrollin mbi talentin gjerman.

Ditët e fundit është zhvilluar një takim mes Marotta-s dhe Rummenigge-s. Një nga opsionet e mundshme është që Juventusi të marrë Gotze-n në formë huazimi për 2 sezone me detyrim blerje. Opsioni i dytë është modeli “Morata”, që do të thotë se në këtë rast është vetë Gotze që do të bëjë zgjedhjen, ndërkohë që Bajernit i jepet e drejta për ta riblerë kartonin e futbollistit nëse ai kalon te Juventus.

Ajo që mbetet për t’u bërë është që Juventus të marrë edhe miratimin e Gotzes për një transferim të tij në Torino. Marotta nga ana e tij i ka qetësuar përfaqësuesit e futbollistit në lidhje me pagën e lojtarit duke garantuar se ajo do të jetë 6 milionë euro në sezon, po aq sa ai merr edhe te Bajerni. Problemi i vetëm në këtë pikë për Juventusin është mundësia e shfaqjes së ndonjë klubi tjetër që mund të bëjë një ofertë marramendëse për futbollistin 23-vjeçar.

Ndërkaq, Juventus vazhdon të mbajë në shënjestër Julian Draksler për të cilin Zonja e Vjetër po mendon të bëjë një tjetër ofertë te Shalke 04.

Top Channel