HEC-et thajnë burimet e ujit, banorët e shumë zonave pa ujë për vaditje e për të pirë

18/07/2015 00:00

Dhënia e lejeve për ndërtimin e HEC-eve në disa zona të vendit, ku nuk janë respektuar kushtet teknike, ka sjellë pakësimin e ujit të pijshëm në shumë fshatra.

Ekspertët e mjedisit tregojnë se devijimi i shtratit të lumit dhe ndërhyrja në burim po çon në tharjen e tokave bujqësore dhe mungesën e ujit në shtëpitë e banorëve.

“Është kaluar nëpër tubacione, i gjithë uji që përdoret dhe për ujë të pijshëm dhe për bujqësinë dhe fshatarët tani po e ndjejnë shumë më tepër këtë impakt”, tha Emirjeta Adhami, eksperte e Inca.

Prej disa kohësh banorët në Qerisht të Librazhdit por edhe në zonen e Bulqizës kanë protestuar kundër ndërtimit të këtyre HEC-eve, të cilat kanë sjellë probleme të mëdha në jetesën e tyre të përditshme

“I gjithë komuniteti në zonat ku pretendohet se do të ndërtohen këto HEC-e janë të ndikuara jo vetëm për përdorimin e ujit, por njëkohësisht dhe atraksioni që jep zona ku jetojnë. Për shembull është planifikuar të ndërtohet dhe në lumin Valbonë, tre hidrocentrale. Kjo do të thotë se atje do të ndryshojë ajo rrjedhë e bukur e ujit që shohim sot”, tha Adhami.

Inspektoriati i Mjedisit ka listuar një sërë subjektesh të cilat nuk kanë marrë ende leje mjedisore, dhe nuk mund të veprojnë në terren.

Top Channel