KLSH kallëzon kreun e Tatimeve të Beratit dhe dy ish-drejtorë

18/07/2015 00:00

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar penalisht në prokurori drejtorin e Drejtorisë Rajonale Tatimore në Berat dhe dy ish-drejtorë të kësaj dege.

Përmes një komunikate për shtyp, KLSH njofton se pas një auditi të kryer, në Drejtorinë Tatimore të Beratit është konstatuar një dëm ekonomik ndaj buxhetit të shtetit prej 59 milionë lekësh dhe rreth 5 milionë lekë të tjera në formën e të ardhurave të munguara.

Nga njoftimi zyrtar mësohet se, drejtori, i identifikuar me inicialet G.G dhe dy ish-drejtorët e Tatimeve, M.D e T.M, janë kallëzuar nën akuzën e “shpërdorimit të detyrës”.

Kjo, pasi nga auditimi i kryer në periudhën 2013-2014 ka rezultuar se ata kanë toleruar disa dhjetëra biznese në shlyerjen e detyrimeve tatimore.

Nga një kontroll tjetër i ushtruar në të njëjtën periudhë janë konstatuar shkelje edhe në Drejtorinë e Tatimeve të Elbasanit, të cilat kanë shkaktuar një dëm financiar prej rreth 142 milionë lekë, në formën e të ardhurave të munguara.

Sipas njoftimit, marrëveshja për shlyerjen e borxhit me subjektet tatimpaguese është bërë nga drejtoria lokale jashtë afateve ligjore. Gjithashtu, numri i subjekteve të toleruara ka rezultuar në disa dhjetëra.

Top Channel