Durrësi vuan për ujë, prej dy muajsh kufizime në furnizim

18/07/2015 00:00

Prej të paktën dy muajsh, qyteti bregdetar i Durrësit përballet me vështirësi në furnizimin me ujë të pijshëm. Shumë qytetarë durrsakë i kanë adresuar ankesat e tyre pranë ndërmarrjes së Ujësjellës Kanalizimeve, por shoqëria me aksione publike, nga ana e saj kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe u bën thirrje të kursejnë sa më shumë ujë në këtë stinë të nxehtë.

Për shkak të rritjes së temperaturave, thatësirës, si dhe shtimit të popullsisë për shkak të sezonit turistik, situata paraqitet më e rënduar në ditët e fundit.

“Ditët e fundit ka pasur ankesa nga qytetarët për mosfurnizim me ujë. Kjo ka ardhur si pasojë e rritjes së kërkesës për ujë dhe rritjes së numrit të banorëve në zonën e plazhit”, deklaron Lorenc Faja, kryetar i degës teknike të UKD.

Prej dy muajsh në stacionin e pompimit në Fushë Kuqe është vënë në punë edhe pompa e nëntë, duke prodhuar aktualisht sasinë maksimale të ujit, një pjesë e të cilit shpenzohet pa të drejtë dhe për vaditje tokash e larje automjetesh.

Ujësjellës Kanalizimet Durrës i bën thirrje qytetarëve që të kursejnë në maksimum ujin, ndërsa subjekteve që e përdorin atë për larjen e automjeteve të rrugëve apo ujitjen e tokave ta ndërpresin këtë praktikë.

Nga ana tjetër, UKD paralajmëroi se personat që abuzojnë me ujin e pijshëm do të ndëshkohen me gjoba, deri në ndjekje penale për ata që ndërhyjnë në rrjetin e furnizimit me ujë.

Top Channel