Policia në pritje të turistëve, apel për kujdes në qarkullim

18/07/2015 00:00

Stina e nxehtë, e cila sjell shpesh ngarkesë në qarkullimin rrugor, duke u shoqëruar edhe me aksidente ka bërë që në qytetin e Korçës të shtohen masat dhe kontrollet.

Për të shmangur sa më tepër aksidentet rrugore, të cilat mbeten një prej problemeve më të theksuara nga njësia e qarkullimit rrugor, janë marrë masa parandaluese.

Mësohet ndërkohë se nuk kanë munguar as ndëshkimet për drejtuesit me parregullësi në dokumentacion, apo shkelje të rregullave të qarkullimit.

“Me fillimin e sezonit turistik, nga Drejtoria e Policisë së Shtetit ka ardhur një plan masash, për parandalimin e aksidenteve rrugore, me masa të veçanta për Korçën. Ndërkohë, janë komanduar shërbime shtesë në Pogradec, me efektiva të nivelit drejtues dhe zbatues dhe mjete shtesë për përballimin e situatave”, ka deklaruar Erjon Ahmetaj, shef i Qarkullimit Rrugor, Korçë.

Vlora është qyteti që përballet këto dite me dyndjen më të madhe të pushuesve. Mijëra automjete shkojnë në këtë qytet çdo ditë dhe policia, së bashku me një grup nxënësish, ka organizuar një aktivitet sensibilizues, duke i kërkuar çdo drejtuesi mjeti të respektojë rregullat.

“Efektivët e policisë rrugore janë 24 orë në shërbim të qytetarëve, për të pasur rrjedhshmëri në trafik dhe jo pengesa. U bëj me thirrje drejtuesve të mjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit”, deklaroi Ylli Kondi, shef i Qarkullimit të Vlorës.

Top Channel