Trageti pëson defekt, rikthehet në port. Qindra udhëtarë mbeten të bllokuar në Ankona

19/07/2015 00:00

Për shkak të një defekti teknik, trageti “AF Marina” i linjës Ankona-Durrës ka ndërprerë udhëtimin, duke u kthyer me ndihmën e rimorkiatorëve në portin e nisjes.

E ndërsa paraditen e sotme Kapiteneria e Portit të Durrësit bëri të ditur se është gjetur zgjidhja dhe udhëtarët do të udhëtojnë në mbrëmje drejt Durrësit nga porti i Barit, situata mes pasagjerëve të tragetit “Marina” është shqetësuese.

Nga komunikimi me disa prej tyre, mësohet se nuk u është vënë në dispozicion asnjë mjet për të shkuar në Bari, ndërsa u janë ofruar dy mundësi: të marrin paratë e biletave dhe të vijojnë vetë udhëtimin, ose të shkojnë nga Ankona deri në Bari me mjetet e tyre ose mjete të tjera të transportit, për të udhëtuar më pas drejt Durrësit me tragetin e së njëjtës kompani.

Kjo ka shkaktuar konfuzion mes pasagjerëve, një pjesë e të cilëve dyshojnë se po mashtrohen nga kompania dhe nuk e lënë tragetin, duke bllokuar edhe pasagjerët e tjerë që të marrin automjetet e parkuara brenda në traget. Disa qindra udhëtarë gjenden ende në Ankona pa marrë zgjidhje për situatën e tyre.

Në muajin maj, një tjetër traget i kompanisë “Adria Ferries” u përfshi nga flakët pak pasi kishte dalë nga porti i Barit me destinacion Durrësin. 

Top Channel