5600 infermierë në testim. Pas vendimit të Gjykatës së Apelit fillon zbatimi i konkursit

19/07/2015 00:00

Rreth 5600 infermierë në vend do të testohen në 24 korrik. Ndonëse ky testim u kundërshtua fort si nga bluzat e bardha, të cilët u përfshinë në protesta, ashtu dhe nga Urdhri i Infermierit, të premten e javës që vjen infermierët do t’i duhet të kalojnë këtë provë.

Ka qenë vendimi i Gjykatës Administrative të Apelit, i cili i ka hapur rrugë zhvillimit të testimit pas padisë së bërë nga Urdhri i infermierit.

Testimi do të nisë si fillim me infermierët e materniteteve për të vijuar më pas me infermierët e shërbimit të urgjencave. Radha e testimit është parashikuar të vijojë me infermierët e spitaleve e më pas me ato të qendrave shëndetësore.

Të paktën ky është udhëzimi i dalë nga Ministria e Shëndetësisë, i cili u është shpërndarë drejtuesve të këtyre institucioneve shëndetësore.

Pas shpalljes se vendimit nga Gjykata Administrative e Apelit, ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj pati deklaruar se do të rishikohej fondi i pyetjeve i hartuar nga grupi i punës, qe ishte ngritur posaçërisht për këtë qëllim, por që u kontestua për shkak të gabimeve që u hasën në to.

Pas infermierëve, shumë shpejt pritet të testohen të gjithë mjekët, kryesisht ata të familjes.

Ministri Beqaj ka deklaruar më parë se testimi nuk do të cenojë vendin e punës për askënd, por do të shërbejë si orientues për të hartuar më pas programet e edukimit në vazhdim.

Top Channel