Sarandë, ndahen licencat e para për njerëzit që udhëheqin turistët

19/07/2015 00:00

Rreth 18 të rinj janë guidat e para turistike të certifikuara në Sarandë pas përfundimit të trajnimit mbi atraksionet turistike, organizuar nga Shoqata Kombëtare e Guidave, Ministria e Turizmit dhe PNUD.

Ligji i ri për turizmin që pritet të kalojë në parlament javën që vjen kthen guidën turistike në profesion të veçantë.

“Do të jetë hera e parë në më shumë se 20 vite që jo vetëm do të njihet si një profesion i veçantë, por edhe do të certifikohet nga Ministria e Turizmit”, u shpreh Arben Ahmetaj, ministër i Zhvillimit Ekonomik, Turizimit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes.

“Kërkojmë dhe ne të konkurojmë shtetet tona fqinje që kanë përparuar goxha në turizëm”, deklaroi njëri nga pjesëmarrësit në trajnim, Leonidha Mako.

Me hyrjen në fuqi të ligjit të ri, guidat turistike që nuk kalojnë përmes këtij procesi nuk do të lejohen të ushtrojnë aktivitetin e tyre. Personat që licencohen si guidë turistike duhet të jenë njohës të historisë së qytetit, trashëgimisë kulturore, vlerave të florës dhe faunës si dhe vlerave të natyrës.

Në këtë pikë, kreu i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, Auron Tare thotë se organizimi i guidave të certifikuara, do të rregullonte tregun përfshirë këtu edhe elementin e çmimit.

Lista e guidave të certifikuara do t’u dërgohet operatorëve turistikë për të mundësuar kështu kontaktin e tyre me turistët që vizitojnë vendin. Në trajnim morën pjesë 30 të rinj gjithsej, që në përfundim të tij iu nënshtruan testimit.

Gjatë vizitës në Sarandë, ministri Ahmetaj inspektoi dhe punën për vendosjen e sinjalistikës turistike. Ai tha se brenda këtij muaji do të përfundojë sinjalistika turistike përgjatë bregdetit ndërsa brenda vitit parashikohet të përfundojë në të gjithë Shqipërinë.

Top Channel