PD kundër ligjit për arsimin e lartë, mbështesin protestat. Pedagogët: PD u kujtua me vonesë

20/07/2015 00:00

Në tryezën konsultative të Partisë Demokratike me profesoratin dhe përfaqësues të studentëve në universitete publike, askush nuk e mbështeti ligjin për arsimin e lartë.

Të ftuarit dhe opozita i vunë ligjit çdo epitet të mundshëm negativ, ku spikatën ata që e cilësojnë si antikushtetues, të papërballueshëm nga qytetarët dhe, mbi të gjitha, klientelist.

“Problemi është shumë, shumë, shumë më i gjerë.Cili është problemi? Problemi është në raport me respektimin e Kushtetutës”, u shpreh pedagogu, Artan Fuga.

“Nëpër nene, se ndoshta e paragjykoj, por duket sikur mbrapa çdo neni fshihet një interes dhe një universitet”, deklaroi Sulejman Sulçe, pedagog

“Ky në thelb dëmton sistemin tonë legjislativ, mënyrën se si bëhen ligjet në Shqipëri. Është e tmerrshme që një grup interesi me pak para, me shumë perversitet, me shumë aktivizim, të arrijë të implementojë interesat e veta në një projektligj”, tha Mark Marku, pedagog.

“Pse ta themi me katër apo pesë fjali, kur mund ta themi me një fjalë: klientela. Pra, ka një klientelë mbrapa këtij ligji që ka parashikuar nga do të kalojë skiatori qeveritar”, tha Basha.

Pavarësisht pse të gjithë folën për favorizim të klientelës së qeverisë në arsimin e lartë, askush nuk përmendi asnjë emër, madje as kryetari i Partisë Demokratike, i cili siguroi çdo të interesuar se opozita nuk është e kapur nga asnjë interes klientelist.

“Askush nuk duhet të mendojë se Partia Demokratike është e kënaqur me situatën apo se po e bën këtë për t’i bërë fresk një tjetër klientele të çastit”, vijoi Basha.

Projektligji, sipas përfaqësuesit të studentëve, për shkak të rritjes së tarifave bën të pamundur ndjekjen e studimeve të larta.

“Në qoftëse ky projektlgj kalon në Parlament do të bëjë që të arrihen tarifat e universiteteve private, pra tarifa rreth 1 mijë euro për bachelor dhe rreth 2 mijë euro për sistemin master “, u shpreh Armand Myftari nga Këshilli Studentor.

Partia Demokratike ka një qëllim përse e organizoi tryezën pak orë përpara shqytimit të ligjit në Parlament.

“Ne jemi të vendosur që të kundërshtojmë me të gjithë instrumentat që një opozitë parlamentare ka, por në seancën e së martës dëshirojmë të jemi edhe zëri i atyre që kanë folur, kanë shkruar, kanë dalë në sheshet e protestave dhe që nuk janë dëgjuar”, bëri të ditur Basha.

Por, disa nga zërat më të spikatur të profesoratit, shprehen pakënaqësinë përse opozita reagoi kaq vonë dhe nuk i mbështeti njësoj që në fillim.

“Shqetësimi im z. Basha është se mos jemi në kohën e gabuar, në vendin e gabuar dhe po bëjmë diskutimin e gabuar”, deklaroi pedagogu Artan Fuga.

“Jam pak skeptik ndaj mënyrës si ka funksionuar opozita në raport me këtë projektligj sepse ka qenë mjaft hezituese. Nuk kemi parë një qëndrim opozitar të strukturuar për projektligjin”, vijoi Mark Marku.

“Nuk duhet të keqkuptoni durimin dhe shpresën tonë, jo te qeveria, por tek ekspertët që përmendët. Të kishim të paktën një ligj rreth të cilit do të ndërtonim konsensusin publik dhe politik nga njëra anë dhe vendosmërinë tonë për të mos pranuar këtë sharlatanizëm”, tha Basha.
 
Të gjithë diskutantët ishin pothuajse të bindur se ligji, sipas tyre shkatërrimtar për shoqërinë shqiptare, do të miratohet të martën, megjithatë duket se shpresat për ta rrëzuar ende ekzistojnë.

Mark Marku: Ne e dimë që opozita nuk mundet që ta përmbysë situatën sepse po të kishin dashur të kërkonin konsensus, do ta kërkonin në komision…
Lulzim Basha: Të korrigjoj, nuk e përmbys dot situatën në Parlament, por situatën e përmbys bashkë me ju.
Mark Marku: Patjetër, por flas në parlament nuk e përmbysni dot sepse projektligji është nesër dhe sido që të jetë numrat i kanë.

Tryeza nuk vendosi rrugët e kundërshtimit në të ardhmen, nëse ligji miratohet të martën në Parlament, por kreu i opozitës bëri një premtim solemn.

“Unë ju garantoj se Partia Demokratike dhe opozita do të jenë në krah të studentëve dhe pedagogëve në çfarëdo forme dhe mënyre që ju do të zgjidhni ne jemi gati të shkojmë në luftë me çdo çmim kundër kësaj qeverie derisa të reflektojë, të tërhiqet dhe të pranojë hapjen e një diskutimi të vërtetë, jo fals, për çfarë ka nevojë arsimi i lartë dhe se si mund ta arrijmë këtë sepse është plotësisht e mundur ta bëjmë”, tha kryetari i PD-së, Lulzim Basha.

Top Channel