Lezhë, arrestohen dy të kërkuar për vepra të rënda penale

20/07/2015 00:00

Policia e qarkut të Lezhës ka bërë të mundur në 24 orët e fundit arrestimin e dy personave të shpallur në kërkim për vepra të rënda penale.

Sipas një njoftimi për shtyp nga drejtoria lokale e policisë, në pranga kanë përfunduar 44-vjeçari Albert Domgjoni, nga fshati me të njëjtin emër i Mirditës dhe Adriatik Qarri, 33 vjeç, nga Tirana.

Ndalimi i Domgjonit është bërë pasi Gjykata e Apelit të Shkodrës e ka dënuar atë në mungesë me 2 vjet e 5 muaj burg, për veprën penale të “vrasjes me dashje të mbetur në tentativë”.

Ndërsa arrestimi i Qarrit ka ardhur pasi gjykata e Kurbinit kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg” për “mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”, saktësohet në njoftim.

Gjithashtu, autoritetet e qarkut të Lezhës kanë vendosur edhe procedime në gjendje të lirë ndaj tre shtetasve, dy prej të cilëve të akuzuar për “prerje dhe transport të paligjshëm të materialeve pyjore” dhe tjetri për mbajtje armësh artizanale.

Top Channel