Pogradeci sipas “Summer Fest”. Destinacionet që ofron qyteti

20/07/2015 00:00

Buzë ujërave të këtij liqeni, janë thurur shumë vargje. Këtu frymëzohej edhe liriku i madh shqiptar Lasgush Poradeci, për të cilin thuhet se e kish të pamundur të shkruante pa dëgjuar valët e liqenit t’i kumbonin ëmbël…

Që nga maja e Qafë-Thanës, kur poshtë shfaqet Lini, buzë liqenit, e ndjen se të pret një rrugëtim i paqtë. Pas 2 orësh udhëtim nga Tirana, për një distancë prej 140 kilometrash, shfaqet magjishëm liqeni i Ohrit, herë i dremitur, herë i zhubrosur.

Pogradeci me historinë e pasur, objektet religjioze, plazhet përgjatë vijës liqenore me rërë e guraleca, ka shumë arsye përmes të cilave i josh vizitorët e huaj të vijnë këtu e të shijojnë këtë bukuri shqiptare.

“Unë jam nga Polonia, sapo kam mbërritur në Pogradec nga Maqedonia. Është hera e dytë që vizitoj vendin tuaj dhe më pëlqen shumë. Kam mësuar madje disa fjalë shqip, si: “Mirëdita” dhe “Faleminderit”. Më pëlqen shumë liqeni dhe qyteti përreth tij. Kam vënë re këtu shumë berberhana, po mendoj madje të qeth flokët e mi”,- thotë duke qeshur një prej turistëve të huaj.

Dikur qyteti shtrihej brenda mureve të kalasë nga e cila sot kanë ngelur vetëm rrënojat. Me rritjen e popullsisë e mbarimin e luftërave qyteti u zhvillua rrëzë kodrës, përgjatë bregut të liqenit të Ohrit. Ky liqen njihet në hartën botërore si një ndër më të vjetrit, ndër më të mëdhenjtë në Gadishullin e Ballkanit. Në pikën më të thellë, liqeni i Ohrit shkon në mbi 250 metra.

Në Pogradec mund të gjeni disa destinacione turistike, mes tyre Driloni, ose Voloreka, siç e quajnë vendasit. Burimet e Drilonit janë me origjinë karstike dhe burojnë në anën juglindore të liqenit të Ohrit. Kjo zonë strehon mjellmat e bardha që përkëdhelen mbi ujin që rrjedh nëpër një shtrat jo të thellë, përpara se të derdhet në liqen. Këtu ofrohet një atmosferë e mrekullueshme, çka nuk mund t’i shpëtojë asnjë aparati fotografik. Ardian Fezollari, që nuk ka lënë qoshe të qytetit pa fotografuar tregon disa nga momentet më të bukura që mund të shijohen…

“Për mua Pogradeci është një nga qytetet më atraktivë në Shqipëri dhe është destinacion shumë i mirë për gjithë fotografët shqiptarë. Gjatë pranverës, verës, vjeshtës apo dimrit, këtu mund të shijosh gamën e ngjyrave, reflekset e ujit që janë jashtëzakonisht të bukura, mbrëmjet me një perëndim përrallor, mëngjeset e argjendta, që më së miri mendoj i ka kënduar poeti ynë i dashur Lasgush Poradeci”,- thotë ai. 
 
Fare pranë Drilonit, gjendet fshati Tushemisht, i kthyer së fundmi në një destinacion mjaft atraktiv për turistët vendas dhe të huaj. Përpos plazheve ranore, nostalgjikët e Zonjës nga Qyteti, në qendër të fshatit mund të vizitojnë burimin e famshëm ku “Teto Ollga” dhe vajza e saj “Meli” lanin sytë në mëngjes…
Për Kryetarin e Bashkisë Eduart Kapri, numri i turistëve në Pogradec është rritur nga viti në vit dhe qyteti tanimë i mirëpret turistët edhe me një rrugë të re hyrëse. Sipas tij, vitet e ardhshme Bashkia do të fokusohet tek projektet për një turizëm të qendrueshëm, por edhe tek gjallërimi i jetës kulturore për t’i joshur vizitorët edhe më shumë.

“Një nga prioritetet që unë mendoj të shtrij në qytetin e Pogradecit është bërja e një masterplani, kjo me qëllim që t’i jepet një zhvillim i qendrueshëm kësaj industrie. Puna graduale do të jetë që të japë mundësi për zhvillimin e një turizmi katërstinor, po kaq edhe për gjallërimin e jetës kulturore artistike të qytetit. Çdo turist kërkon të gjejë dhe një atraksion ku të ketë mundësinë edhe të aktiviteteve, siç është “Summer Fest”, një veprimtari, një aktivitet kulturor artistik që normalisht gjallëron jetën e banorëve por edhe të turistëve”,- thotë ai.

Në Pogradec nuk mund të shkosh e të mos provosh kuzhinën e larmishme ku mbizotërojnë pjatat me peshk. Fama e koranit që jeton në ujërat e ëmbla të liqenit shkon përtej Shqipërisë. Pogradecarët madje tregojnë me krenari një histori, sipas të cilës edhe vetë Mbretëresha e Anglisë e porosiste dikur koranin për shijen e veçantë.

Ky është Pogradeci, qyteti i luleve, ku ajri është i pasur me oksigjen si askund tjetër në Shqipëri. Përgjatë kësaj vere, qyteti ju mirëpret, me histori, kulturë dhe turizëm…

Top Channel