Merr fund udhëtimi i lodhshëm i pasagjerëve të tragetit “Marina”

20/07/2015 00:00

Ka marrë fund udhëtimi raskapitës i pasagjerëve të linjës Ankona-Durrës, i cili u ndërpre pas një defekti teknik në tragetin “AF Marina”.

Pasi kanë udhëtuar drejt Barit, pasagjerët kanë mbërritur në portin detar të Durrësit me tre tragetet e linjës, që u ankoruan në këtë port gjatë mëngjesit dhe paradites së të hënës.

Gjysma e dytë e muajit korrik ka rritur ndjeshëm numrin e udhëtarëve që përpunohen në terminalin e pasagjerëve të portit më të madh në vend, ku është shtuar numri i sporteleve të policisë kufitare.

Ndërkohë, fundjavët e ardhshme dhe muaji gusht pritet të shtojnë më tej numrin e personave që përdorin tragetet e linjave detare me Italinë për të udhëtuar.

Gjatë kësaj stine të nxehtë, për të përballuar fluksin, kompanitë lundruese kanë shtuar edhe tragetet në linjat me Shqipërinë.

Në 6-mujorin e parë të këtij viti afro 221 mijë shtetas shqiptarë dhe të huaj zgjodhën transportin detar përmes pikës kufitare të Durrësit për të udhëtuar.

Top Channel