Akt terrorist në Turqi, 30 të vrarë. Sulmi kamikaz dyshohet nga një 18-vjeçare e lidhur me ISIS-in

20/07/2015 00:00

ISIS ka marrë përsipër përgjegjësinë e një tjetër sulmi vdekjeprurës. Një person i lidhur me Kalifatin është vetëhedhur në erë në qytetin Suruç të Turqisë, ku u ka marrë jetën 30 personave, si dhe ka lënë 100 të tjerë të plagosur.

Përmes Twitter-it , xhihadistë kanë përcjellë mesazhin se drejtësia është vendosur nëpërmjet sulmit në Suruç. Por ende nuk dihet për çfarë drejtësie flitet. Kjo është kthyer në traditën e ekstremistëve, të cilët kryejnë masakra e më pas nëpër rrjete sociale marrin autorësinë.

Oborri i qendrës kulturore ku ndodhi shpërthimi, është përgjakur me trupat e viktimave, ku orët e fundit, siç tregojnë edhe mediet e huaja, aty kanë zbarkuar edhe familjarët e tyre. Situata është rënduar shumë dhe në vend ka gjendje paniku.

Sipas autoriteteve turke me shume gjasa, kamikazi ishte një femër. Forcat e sigurisë turke janë mobilizuar më shumë se asnjëherë, pasi kjo është hera e parë që një sulm prek drejtpërdrejtë vendin.

Qyteti i Suruçit është pranë kufirit me Sirinë, jo shumë larg Kobanit dhe strehon shumë refugjatë që i janë larguar muajt e fundit këtij qyteti për shkak të luftimeve.

Politikanët turq kanë dënuar sulmin, duke e cilësuar si një akt terrori të pastër.

“Ne jemi të pikëlluar që 28 bashkëkombas tanë kanë humbur jetën, e qindra të tjerë janë plagosur. Në emër të popullit tim, unë i dënoj ashpër autorët e këtij brutaliteti”, tha presidenti Erdogan.
 
Shpërthimi erdhi një javë pasi Turqia vendosi trupa dhe pajisje shtesë prane kufirit të saj me Sirinë për t’u mbrojtur nga luftimet mes ISIS-it, kurdëve dhe grupeve të tjera në Sirinë fqinje. Ankaraja i frikësohet faktit se ndonjë tension në zonën kufitare mund të rindezë një kryengritje të armatosur të kurdëve separatistë, ku prej vitit 1964 kanë mbetur të vrarë rreth 40.000 persona. 

Kohët e fundit trupat britanike SAS kanë ndihmuar trupat kurde në betejën e tyre kundër ISIS-it në qytetin e Kobanit. Gjithasthu, forcat amerikane në rajon janë duke u përpjekur për të mbajtur mbrapa terroristët nga kalimi i kufirit të Turqisë.

Top Channel