Kosovë, Apeli lë në burg të dyshuarit si anëtarë të ISIS

20/07/2015 00:00

Gjykata e Apelit në Kosovë ka lënë në fuqi masën e paraburgimit për 5 persona të arrestuar më herët gjatë muajit nën dyshimin se i përkasin grupit terrorist të Shtetit Islamik.

Ndaj tyre rëndon akuza e “përgatitjes së akteve terroriste”, ose të atyre akteve që cënojnë rendin kushtetues dhe publik të Kosovës.

Kështu, trupi gjykues ka hedhur poshtë duke i cilësuar si të pabaza ankesat e avokatëve mbrojtës të të pandehurve dhe ka vërtetuar vendimin e dhënë më parë nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

Në vlerësimin e saj, trupa gjykuese ka argumentuar se pretendimet e ngritura në ankesat e mbrojtjes nuk qëndrojnë dhe ka nënvizuar se, vendimi i shkallës së parë ka qenë i arsyetuar mbi dyshimin e bazuar se personat në fjalë po përgatisnin akte terroriste.

Gjithashtu, toga e ka argumentuar paraburgimin duke deklaruar se, për të pandehurit ekziston rreziku i largimit, asgjesimit apo fshehjes së provave materiale, ndikimit tek dëshmitarët dhe rreziku i përsëritjes së veprave penale për të cilat akuzohen.

Top Channel