Kosova bëhet gati të aplikojë në UNESCO

20/07/2015 00:00

Anëtarësimi në UNESCO nuk është i kufizuar vetëm për vendet që janë anëtare të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se do të aplikojë për anëtarësim në UNESCO, njërën nga 16 agjencitë e specializuara të Kombeve të Bashkuara që fushëveprimin e saj e ka në përcaktimin e trashëgimisë botërore, krahas promovimit të bashkëpunimin midis vendeve anëtare në fushën e arsimit, shkencës, kulturës, komunikimit dhe informimit.

Sipas “RTK”, ka disa vjet që Kosova është anëtare e dy agjencive të specializuara shumë të rëndësishme të Kombeve të Bashkuara: Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.

UNESCO e ka selinë qendrore në Paris të Francës, një buxhet vjetor prej rreth 330 milionë dollarësh dhe një staf prej 2 mijë vetë në 65 zyra të ndryshme në mbarë botën.

Sipas Kushtetutës së UNESCO-s, shtetet që nuk janë anëtare të OKB-së mund të pranohen në organizatë me rekomandimin e Bordit Ekzekutiv dhe me dy të tretat e votave të anëtarëve të pranishëm dhe që votojnë në Konferencën e Përgjithshme.

Një anëtarësim të tillë e bëri pak vite më parë Palestina, e cila u pranua me shumicë votash.

Top Channel