Testimi i infermierëve, Ikonomi: Synohet vlerësimi i njohurive sipas fushave

20/07/2015 00:00

Të premten, më datë 24 korrik nis testimi për infermierët e dy materniteteve, Sanatoriumit dhe spitalit të Traumës në Tiranë, i cili do të zhvillohet në ambientet e Fakultetit të Mjekësisë.

Zv.ministrja e Shëndetësisë Milva Ikonomi shpjegon se vlerësimi i tyre do të bëhet në mënyrë anonime nga një komision i posaçëm i ngritur për këtë qëllim, i cili do të vlerësojë në bazë të pikëzimit.

“Testimi fillon në datën 24-25 korrik, është vala e parë e testimeve. Testohen infermierët që vijnë nga shërbimi spitalor universitar. Lista e atyre që janë për tu testuar është marrë së bashku me drejtoritë administrative të spitaleve dhe është ndarë me grupe të vogla, nga 20 infermierë. Ky vlerësim i tyre do të zhvillohet pranë fakultetit të mjekësisë, do të përdoren klasat e fakultetit. Pyetjet që janë hartuar te fondi i pyetjeve janë pyetje që janë pikëzuar, dhe vlerësimi i tyre do të jetë anonim. Nuk do të ketë emër, por do të ngrihet një komision që është caktuar në përbërje, por jo me emra që do të vlerësojnë në bazë të pikëzimit që kanë pyetjet”, thotë Milva Ikonomi, zv.ministre e Shëndetësisë.

Ikonomi shpjegon se fondi i pyetjeve nuk është i vështirë. Faza e parë ka të bëjë me njohuritë bazë, ndërsa faza e dytë ka të bëjë me nivelin e njohurive sipas specialiteteve ku infermierët punojnë. Ndërsa për infermierët e qendrave shëndetësore pyetjet janë hartuar në mënyrë të tillë për të testuar njohuritë mbi paketën në bazë të kujdesit shëndetësor. Ikonomi më tepër se testim e konsideron vlerësim të njohurive profesionale, madje siç dhe është theksuar më parë rezultatet e këtij vlerësimi nuk do të cënojnë vendin e punës për askënd.

“Ne në fakt nuk e quajmë testim, vlerësim i njohurive dhe aftësive profesionale të stafit infermieror që punon në shërbimin shëndetësor kombëtar, pavarësisht nëse ushtron veprimtarinë e vetë në ambiente spitalore, apo në ato të qendrave shëndetësore. Ne kemi për qëllim të kuptojmë se ku ndodhen me njohuritë e tyr edhe të planifikojmë mënyrën e edukimit në vazhdim me buxhetin që do të duhet për këto gjëra”, vijon Konomi.

Disa nga pyetjet e testit u kontestuan më herët, por Ikonomi shpjegon se ato kishin të bënin me gabime ortografike apo të përktheyra keq, gjë e cila është korrigjuar. Testimi do të vijojë edhe në fund të muajit gusht deri sa të merren në provë të gjithë infermierët që ofrojnë shërbim shëndetësor në vend.

Top Channel