Debati për arsimin në shëndetësi. Pedagogët kërkojnë forcimin e kritereve për shefat e departamenteve

20/07/2015 00:00

Deputetët e opozitës kanë kundërshtuar projektligjin e arsimit të lartë në Komisionin e Shëndetësisë i cili është kaluar në parim me votat e mazhorances.

Sfida e këtij projektligji është forcimi i sistemit arsimor në tërësi, çka në shëndetësi do të reflektohej me mjekë të formuar cilësisht. Profesor Myftar Barbullushi i cili është edhe pjesë e Komisionit të Arsimit të Lartë, tha se gjendja e studentëve të sapo diplomuar është kritike.

“50 deri 52% e mjekëve të cilët kishin dy-tre vite që kishin mbaruar shkollën ngelën në prodhimin e formimit, çka do të thotë se më e rëndësishme se mjekimi i të sëmurit, sot është më e rëndësihme formimi i mjekut. Formimi i mjekut në këto 25 vite, ose edhe më përpara, ka qenë me probleme të jashtëzakonshme”, u shpreh Barbullushi.

Debati në Komisionin e Shëndetësisë është fokusuar tek kriteret që duhet të ketë një shef departamenti dhe një shef shërbimi, në një kohë që në projektligj thuhet se kriteret janë të njëjta.

“Në qendra shëndetësore universitare edhe drejtuesi i shërbimit bazë, edhe i departamentit plotësojnë të njëjtat kritere. Unë nuk gjej asnjë shqiptarë, as ata që punojnë në shërbimin civil, as ata që punojnë në botën akademike, që ta bind se ky pozicion, një më i lartë dhe një më ulët dhe me sfera të ndryshme, kërkojnë kritere të njëjta”, u shpreh Vasili.

“Departamenti ynë ka Endokrinologjinë, diabetin, sëmundjen e veshkës, sëmundjen e mëlçisë etj., kush do t’i koordinojë? Shefi i departamentit, por shefat e shërbimeve janë figurat që bëjnë të tërë politikën shëndetësore. Shefi i shërbimit, jo vetëm që është në një rang me shefin e departamentit, por mund të jetë më i lartë se ky i fundit”, deklaroi Barbullushi.

“Nuk e kemi shpikur neve, por nuk mundet shefi i shërbimeve të ketë të njëjta klritere me shefin e departamentit, mendoj unë, sepse është më poshtë në hirerarki”, vazhdoi Albana Vokshi.

“Shefi i departamentit nuk duhet të jetë shef shërbimi për mendimin tim, sepse i bie që një dekan të punojë me 60 shefa e shërbimi sepse janë 60 shërbime. Natyrisht që nuk mund të komunikojë me ata, janë të domosdoshme departamentet dhe në qoftëse shefi i departaemtntit do të jetë shef shërbimi nuk e ka atë varësinë dhe atë ndienjën e përgjegjësisë karshi mësimdhënies”, u shpreh dekanja e Fakultetit të Mjekësisë, Mira Rakacolli.

Deputeti Petrit Vasili ka theksuar se nuk mundet që një mjek i diplomuar jashtë të ketë kritere më të larta, se mjekët të cilët kanë mbaruar studimet në Shqipëri, pasi kemi diferencim të ndjeshëm me ligj.

Top Channel