MF: Borxhi po vihet nën kontroll. PD të shqetësohej 8 vite më parë

20/07/2015 00:00

Ministria e Financave ka reaguar ndaj akuzave të Partisë Demokratike për borxhin publik. Sipas opozitës, rritja e borxhit me 12 përqind për dy vjet është bërë për të mbuluar evazionin fiskal dhe korrupsionin galopant.

Por Ministria e Financave ka një tjetër këndvështrim për këtë çështje dhe këtë e ka bërë të njohur përmes një komunikate shpërndarë për publikun.

“Niveli i lartë i borxhit është produkt pikërisht i atyre që sot bërtasin ‘borxhi i lartë’. Sikur po këta individë të kishin dëgjuar këshillat e ndërkombëtarëve vite më parë, tani rreziku dhe kostoja e borxhit publik do të ishte shumë më i ulët për shqiptarët. Si dikur, Partia Demokratike e Shqipërisë ka një lexueshmëri të kufizuar të mesazheve të ndërkombëtarëve, duke i shtrembëruar ato deri në mashtrim ndaj shqiptarëve. Gjithë bota ndjente peshën e krizës globale, por qeveria e asaj kohe nuk pranonte as të përmendej fjala krizë. Borxhi rritej, qeveria teorizonte që rreziqet e borxhit të lartë mbi 60 përqind janë ulur. Tregjet dhe investitorët po i kthenin kurrizin, qeveria si pa të keq nuk paguante faturat”, thotë MF.

Ministria e Financave thotë se qeveria ka qënë shumë e qartë në programin e saj për të sjellë borxhin publik nën kontroll dhe se kjo është njohur edhe nga organizatat ndërkombëtare dhe më kryesorja, është reflektuar në uljen e kostos së borxhit.

Sipas qeverisë, borxhi publik do të ulet në vazhdim si pasojë e reformave të ndërmarra nga qeveria.

“E vërteta mbi menaxhimin e borxhit publik është lehtësisht e verifikueshme nga mbështetja që i japin ndërkombëtarët politikave të qeverisë aktuale. Borxhi publik do të vijë në ulje graduale, si rrjedhojë e atyre reformave që qeveria e mëparshme nuk pati kurajon t’i ndërmerrte. Reforma e pensioneve, reforma e sektorit të energjisë, reforma e pronave, përmirësimi i administrimit të të ardhurave, janë të gjitha këto reforma që do të çojnë në uljen e rreziqeve fiskale dhe të borxhit publik dhe jo ulja e shpenzimeve publike”, sqaron MF.

Në fund, Ministria e Financave akuzon opozitën se po manipulon publikun duke i paraqitur si borxh të ri rinovimin e borxhit aktual.

Top Channel