Plani britanik kundër ekstremizmit

20/07/2015 00:00

“Beteja e gjeneratës sonë” e cilësoi kryeministri britanik stratagjinë kundër ekstremizmit të bërë publike në qytetin e Birmingamit e cila synon të frenojë përhapjen e ideolgjisë radikale që promovohet nga Shteti Islamik.

Strategjia pesëvjeçare e Cameron ka si objektiv ndër të tjera, edhe kompanitë e internetit nga të cilat kërkohet të bëjnë më shumë në luftën kundër esktremizmit, veçanërisht në radhët e të rinjve.

Fjalimi i Cameron vjen në kohen kur shefi i qeverisë britanike po kërkon ndihmën e Parlamentit britanik për ndërmarrjen e misioneve ushtarake nga ajri kundër objektivave të ISIS në Siri.

Në strategjinë e re të kryeministrit Cameron e cila do të botohet e plotë në fund të vitit, synohet të luftohet ekstremizmi i kultivuar në Britani.

“Fillimisht duhet të luftojmë të gjithë teoritë konspirative se kush fshihet pas akteve të dhunes. Forcat Perëndimore të sigurisë janë në gatishmëri të plotë për të luftuar kërcënimet terroriste. Duhet të luftojmë gjithashtu edhe konceptin se komuniteti mysliman është i ndrydhur, jo kjo nuk është e vërtetë. Britania është vendi i lirisë ku respektohen të gjithë. Askush nuk duhet të lejojë që ekstremistet t’i mbushin mendjen se ndodh e kundërta. Ne duhet të qëndrojmë të gjithë së bashku për të mbrojtur vlerat tona, me besim dhe krenari”, deklaroi kryeministri britanik, David Cameron.

Ndër masat e parashikuara do të jetë edhe kompetenca e prindërve për të anuluar pashaportat e fëmijëve, për t’i ndaluar ata që të udhëtojnë drejt Sirisë.

Në fjalimin e mbajtur në Birmingam, Cameron paralajmëroi të rinjtë që të mos influencohen nga ideologjitë helmuese, të cilat po shpëlajnë trurin e shumë të rinjve britanikë.

Në strategjinë e plotë të anti-ekstremizmit ndër masat e parashikuara do jenë edhe urdhërat e ndalimit të aktiviteteve të grupeve ekstremiste dhe kompetencat për mbylljen e ambienteve nëpër godina, të cilat përdoren nga këto grupe ekstremiste.

Niveli i sigurisë në Britani është në nivelin e dytë më të lartë çka nënkupton se një sulm terrorist ka shumë gjasa të ndodhë në çdo moment.

Mendohet se rreth 700 të rinj britanikë kanë udhëtuar në Siri për t’iu bashkuar Shtetit Islamik, një pjesë e të cilëve janë kthyer ndërkohë.

Top Channel