PS: Votojmë ligjin e arsimit të lartë; Debati Blushi-Rama, Kokëdhima: Shprehje e demokracisë

20/07/2015 00:00

Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste vendosi unanimisht miratimin e projektligjit të arsimit të lartë, që kalon për miratim në Kuvend këtë të martë dhe që për të cilin priten debate të ashpra pas rritjes së toneve kundërshtuese të opozitës vetëm ditët e fundit.

Nën drejtimin e Gramoz Ruçit, për shkak të mungesës së Edi Ramës, që ndodhet për vizitë Itali, por edhe të zërit të vetëm kritik tashmë në grupin e PS-së, Ben Blushi, mbledhja ka zgjatur pak.

Debatit të hapur nga Blushi në Asamblene Socialiste për procesin zgjedhor brenda partisë i janë përgjigjur për mediet vetëm pak deputetë. Ata që njihen si themelues, apo të vjetrit në PS shmangin komentet, ose përdorin përgjigje klishe.

Për më të rinjtë dhe me më pak kontribute në PS debati është normal dhe tregues i demokracisë së brendshme në parti. E tillë është për Koço Kokëdhimën, me të cilin zërat kundërshtues në parti, përfshirë edhe Blushin, kanë qenë shpesh të ashpër. Por deputeti i Sarandës, publikisht nuk përgjigjet me të njëjtën monedhë, kur mohon thyerjen e pakthyeshme të komunikimit Rama-Blushi.

“Unë nuk shoh ndonjë thyerje. Është shumë normale, njerëzit janë të ndryshëm. Kemi mendime të ndryshme për çështje të ndryshme dhe kjo nuk i prish punë askujt”, thotë deputeti Kokëdhima.

Për hapjen e garës edhe për kryetar partie, që Blushi kërkoi në Asamble, deputeti Kokëdhima ripërsëriti qëndrimin e kryetarit Rama.

“Unë mendoj që politikisht kjo është një çështje e zgjidhur mbi bazën e gjithë precedentëve dhe modeleve politike të partive të ngjashme që PS ndjek sot. Ne kemi vendosur, edhe Asambleja e të shtunës vendosi, që edhe nga pikëpamja organizative dhe statuore, kjo çështje e zgjidhur politikisht të marrë edhe një zgjidhje përfundimtare nga pikëpamja e rregullave të partisë që të mos ketë vend për keqkuptime nga askush”, shton Kokëdhima.

“Jemi në një proces reformimi dhe i gjithë ky proces do na çojë në një përmirësim dhe mirëfunksionimi të gjithë strukturave të Partisë Socialiste. Jemi një parti që perfeksionojmë vazhdimisht rregullat e demokracisë”, deklaroi deputetja socialisti, Mimoza Hafizi.

Top Channel