Këshilli i Sigurimit mbështet marrëveshjen me Iranin

20/07/2015 00:00

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara votoi njëzëri për adoptimin e marrëveshjes së nënshkruar mes fuqive të mëdha dhe Iranit për programin bërthamor të këtij të fundit.

Marrëveshja e nënshkruar në fillim të javës së kaluar në Vjenë të Austrisë, synon të kufizojë aktivitetin nuklear të Iranit në këmbim të heqjes së sanksioneve ndërkombëtare ndaj Republikës Islamike.

15 vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit, si rrallë ndonjëherë në një vendimmarrje mbështetën ujdinë e arritur pas 20 muajsh bisedimesh topitëse për të gjitha palët, por që në fund ia vlejtën.

Marrëveshja e arritur për programin bërthamor të Iranit u përshëndet nga të gjitha palët. Në Iran, si Presidenti Rouhani, ashtu edhe ministri i Jashtëm, Javad Zarif thanë se ujdia e arritur “nuk ishte e përkryer për askënd, por ishte më e mira e mundshme”.

Siguria e Presidentit Obama, që Teherani nuk do të përdorë programin e tij bërthamor për qëllime ushtarake bazohet në katër pika.

Së pari, Irani zotohet të nxjerrë jashtë funksionimit 2/3 e centrifugave të pasurimit të uraniumit dhe t’i vendosë ato nëpër depo magazinimi nën mbikëqyrjen e përhershme ndërkombëtare.

Së dyti, Teherani duhet të shkatërrojë 98 për qind të uraniumit që ka pasuruar ndër vite

Së treti, Teherani është i vetëdijshëm se në rast të shkeljes së një pike të marrëveshjes sanksionet rikthehen menjëherë.

Së katërti, Irani u jep akses të përhershëm Inspektorëve të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore, të cilët mund të inspektojnë kur dhe ku të duan, pa asnjë pengesë.

Sa u takon sanksioneve, Presidenti Obama tha se heqja e tyre do të bëhet gradualisht. Ajo e armëve do të mbetet në fuqi edhe për pesë vjet, ndërsa e raketave edhe për 8 vjet të tjera.
Edhe Presidenti rus, Vladimir Putin u shpreh i kënaqur nga arritja.

“Marrëveshja gjithpërfshirëse mbështetet në themele të forta të së drejtës ndërkombëtare. Pavarësisht nga përpjekjet për të vërtetuar ndonjë skenar të bazuar në përdorimin e forcës, të jeni të sigurtë se palët kanë bërë një zgjedhje në favor të stabilitetit dhe të bashkëpunimit. Rusia do të bëjë gjithçka me fuqinë e saj për të siguruar zbatimin e plotë të marrëveshjeve të Vjenës, duke ndihmuar në forcimin e sigurisë globale dhe rajonale, mospërhapjen e armëve bërthamore dhe mobilizimin e  një koalicioni të gjerë në rajon për të luftuar kërcënimet terroriste”, deklaroi Putin.

Ndarazi me marrëvëshjen e nënshkruar me fuqitë e mëdha, Irani nënshkroi edhe një memorandum bashkëpunimi në Vjenë me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore.

Por jo të gjithë në SHBA dhe Lindjen e Mesme kanë mbetur të kënaqur nga kjo marrëveshje. Republikanët e kundërshtuan përmes kreut të Dhomës së Përfaqësuesve, John Boehner.

“Në vend që të ndalonte zhvillimin dhe përhapjen e armëve bërthamore në Lindjen e Mesme, kjo marrëveshje me siguri do të nxisë një garë të re armatimi bërthamor në pjesë të tjera të botës”, deklaroi Boehner.

Kongresi amerikan ka 60 ditë kohë për të marrë në shqyrtim marrëveshjen. Megjithatë, çdo përpjekje e republikanëve, që kanë shumicën në të dyja dhomat, për ta rrëzuar ujdinë do të vihet përballë vetos së Presidentit Obama, i cili ka paralajmëruar përdorimin e kësaj të drejte në rast së marrëveshja nuk kalon.

Edhe në Izrael njoftimi i marrëveshjes nuk është pritur mirë. Kryeministri Benjamin Netanyahu ka theksuar shpesh se një pakt me Iranin për programin e tij bërthamor do të ishte një “gabim historik”.

“Çdo marrëveshja do t’i siguronte miliarda dollarë Iranit për të financuar makinerinë e tij të terrorit dhe përhapjen e agresive të saj në Lindjen e Mesme dhe në mbarë botën”, deklaronte pak javë më parë Netanyahu, por duke u kujdesur që të qetësojë izraelitët se Izraeli është në gjendje dhe do të jetë gjithmonë për të mbrojtur vetveten

Top Channel