Çështja “FAK”, Mustafa: Nuk po kushtëzohemi nga askush

20/07/2015 00:00

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa i përgjigjet me një status në Facebook zërave opozitarë që thonë se serbët po kushtëzojnë shndërrimin e FSK-së në ushtri.

“Falë përkrahjes nga partnerët tanë strategjik, sidomos nga SHBA, FSK sot është një organizatë e përgatitur mirë dhe e aftë të ofrojë siguri në Kosovë dhe rajon dhe të marrë pjesë në misionet paqëruajtëse jashtë vendit tonë. Prandaj, transformimin e saj në Forcë të Armatosur të Kosovës do të bëjmë duke argumentuar se ajo është në interes të të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe jo duke adresuar kundërshtarë të saj”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

“Qeveria nuk ka asnjë kushtëzim për këtë transformim, por vlerësojmë se duhet të punojmë me tërë spektrin politik kosovar dhe me deputetët e subjekteve që përfaqësojnë popullatën joshumicë për të siguruar përkrahjen e tyre, ashtu siç e parasheh Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Themelimi i Forcave të Armatosura të Kosovës do të bëhet duke rikthyer dhe duke ndërtuar besimin reciprok”, vazhdon Mustafa.

Top Channel