Të dëgjojmë zërin e ndërgjegjies dhe ta përdorim atë siç duhet, shpeshherë na ndihmon të gjejmë rrugën e duhur në jetë. Mjafton të kujtojmë rastin e para dy javëve në Pasdite në Top Channel, ku një vajzë, e cila godet një makine, i le një letër me numrin e saj të telefonit zotëruesit që nuk ndodhej aty.

Në këto rrethana, vajza edhe mund t’ia kishte mbathur pa lënë, asnjë gjurmë. Por, në fakt bëri të kundërtën.

“Duhet të bëja këtë gjest human dhe në një letër modeste shkruajta nr tim të telefonit, e vendosa në xhamin e makinës që shoferi të më kontaktonte që të dëmshpërbleja dëmin. E bëra pa menduar se sa do paguaj sepse është më e rëndësishme që të isha e ndërgjegjsme për atë që bëra se sa shuma që duhet të paguaj”, thotë vetë vajza.

Zotëruesi i mjetit të dëmtuar, Arbër Hajdari, reagoi pas kësaj ngjarjes me po aq qytetari sa edhe vajza.

“Për një moment thash: More kur do bëhemi njerëz ne!? U Futa në makinë, pashë letrën dhe e nxora në rrjetet sociale për gjestin që ka bërë dhe mendova paska akoma njerëz të ndërgjegjshëm. Thjesht e mora në telefon për ta falenderuar për gjestin e saj”, thotë ai.

Të jesh i përgjegjshëm për veprimet që bën, ndihmon jo vetëm të tjerët por edhe veten. Kjo është një mënyrë e mirë për të shmangur të gjitha tensionet dhe pasojat që mund të vijnë.

“Raporti është i madh, 1 në 18 njerëz që të rregullojnë makinën kur ta dëmton, por ka shenja që në Shqipëri ka njerëz të ndërgjegjshëm. Mendoj që ka një kthesë në shoqërinë shqiptare për t’u ndërgjegjësuar. Ne jemi popull i mirë”, thotë Arbëri.

Me këtë gjest, kjo vajzë na tregoi të gjithëve se sa pak duhet për të qenë njeri më i mirë.

Top Channel