Berat, po laheshin në lumë, mbyten dy të rinj

20/07/2015 00:00

Një ngjarje e rëndë është regjistruar pasditen e së hënës në Berat, ku dy të rinj 17-vjeçarë janë mbytur në ujërat e Lumit Osum.

Ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur “Pllakat”, ku dy adoleshentët kishin shkuar për t’u larë, por më pas nuk kanë arritur të dalin më mbi ujë.

Gjithçka duket se ka ndodhur në pak çaste. Dy të rinjtë kanë qënë vetëm dhe kjo ka bërë që askush mos t’i vinte re se çfarë u ka ndodhur. Mendohet se ndërsa është mbytur i pari i, dyti ka tentuar ta shpëtojë, por dhe ky ka pasur të njëjtin fat.

Forcat e policisë kanë mbërritur në vendngjarje, ku pas disa minutash kërkime përgjatë rrjedhës së lumit, kanë arritur të nxjerrin trupin e pajetë të njërit prej adoleshentëve, i cili është identifikuar në orët e vona të mbrëmjes dhe është shtetasi me iniciale L.D, 17 vjeç.

Po ashtu është identifikuar edhe 17 vjeçari tjetër, i cili është shtetasi me inicialet R.B, ndërsa vijon operacioni për gjetjen e trupit të tij.

Sipas banorëve, këto zona të Lumit Osum janë përdorur për të nxjerrë materiale inerte dhe kjo ka krijuar edhe gropa të mëdha në shtratin e lumit, çka dyshohet të jetë dhe shkaku i mbytjes së dy të rinjve.

Ndërkohë rënia e natës ka vështirësuar kërkimet, në të cilat përveç policisë dhe të afërmve, janë angazhuar edhe banorët e zonës.

Top Channel