Masa shtrënguese nga BE-ja për azil

20/07/2015 00:00

Ministrat e Brendshëm të Bashkimit Europian janë mbledhur në Bruksel për prezantuar listat e hartuara nga qeveritë përkatëse me vende, të cilat sipas tyre, shfaqin rrezikshmëri dhe automatikisht asnjë person që vjen nga këto shtete nuk do të ketë mundësinë që të aplikojë për azil në vendet e unionit.

Ky propozim i ri është pjesë e një plani afatgjatë që sipas instancave të larta, do ta bëjë bashkësinë e 28 vendeve akoma edhe me të sigurt.

Britania e Madhe, Austria, Belgjika, Republika Çeke, Gjermania, Franca, Irlanda, Luksemburgu, Malta dhe Sllovakia mësohet se tashmë e kanë hartuar listën me emrat e vendeve, që sipas tyre shfaqin pasiguri për kombin e tyre. Mësohet se Anglia ka pjesë të kësaj liste rreth 25 vende, duke thyer edhe rekordin.

Autoritetet  thonë se një vend i sigurt duhet të ketë në mesin e kritereve të tjera, një sistem të qëndrueshëm politik demokratik që udhëhiqet nga ligji, të jenë të ratifikuar dhe në përputhje me traktatet ndërkombëtare për të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.

Ky vendim gjithashtu vjen në një kohë ku numri i ballkanasve që kërkojnë azil në Perëndim është rritur.

Në muajt e parë të vitit 2015, vetëm nga Kosova kanë aplikuar rreth 48 mijë persona, ku krahasuar me sirianët  që vijnë nga problematika e luftës, ky numër është dyfish më i lartë.

Po ashtu nga Maqedonia ka 10 mijë e 300 aplikime. Gjithashtu ka një tjetër problem me persona që aplikojnë disa herë, edhe pse vazhdimisht marrin përgjigje negative.

Që nga viti 2009 Ballkani përbën pjesën më të madhe të numrit të përgjithshëm të aplikimeve me arsyen “përndjekje politike” apo të tjera arsye për mbrojtje ndërkombëtare.

Por nëse një vendim i unionit i cilëson vendet e Ballkanit Perëndimor si të rrezikshëm, kjo do të shuante shpresat e të gjithë atyre të cilët me muaj presin një përgjigje pozitive.

Të strehuar nëpër kampe dhe duke pritur radhë të gjata për t’u ushqyer janë edhe shqiptarët, ku shifrat flasin për 17 mijë aplikime për azil.

Ndërkohë, Ministrat e Brendshëm dështuan të shpërndanin nëpër Europë,  40 mijë refugjatët që kanë mbërritur nga Lindja e Mesme apo Afrika në Itali dhe Greqi. Pritet që shifrat aktuale për secilin shtet anëtar do të përcaktohen në një takim në dhjetor të këtij viti.

Top Channel