Flamuri i Kubës valëvitet në Uashington. Kerry: Hap historik

20/07/2015 00:00

Pas dekadash të tëra armiqësish, Kuba dhe Shtetet e Bashkuara kanë ripërtërirë zyrtarisht marrëdhëniet diplomatike, duke rihapur ambasadat në kryeqytetet respektive.

Pas bisedimeve që pati me homologun e tij Bruno Rodriguez në Uashington, Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, e cilësoi këtë si një hap si historik.

“Me hapjen e ambasadës sonë dhe vizitën e ministrit të Jashtëm të Kubës, ne kemi bërë një hap historik dhe të shumëpritur në drejtimin e duhur. Ndërsa tani dy qeveritë duhet të tregojnë një frymë bashkëpunimi dhe të respektit reciprok”, ka thënë Kerry.

Në një ceremoni historike ku mori pjesë ministri i Jashtëm i Kubës, ishin të pranishëm rreth 500 persona, të cilët brohorisnin: “Fidel, Fidel” dhe “Viva Raul”, ndërsa flamuri i Kubës u ngrit mbi ambasadën e re të hapur në Uashington.

Ndërkohë, një zyrtar amerikan ka konfirmuar se Sekretari amerikan i Shtetit do të vizitojë Havanën më 14 gusht. John Kerry do të bëhet i pari Sekretar amerikan i Shtetit që viziton Kubën që nga viti i largët 1945.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest, tha se lidhjet e reja diplomatike ishin “një tjetër demonstrim se dy vendet nuk duhet të qëndrojnë të burgosur nga e kaluara”.

“Ne presim të punojmë bashkërisht për të normalizuar marrëdhëniet me qeverinë kubane dhe popullin kuban pas një gjysmë shekulli të përçarjes”, tha ai.

Në ceremoninë e ngritjes së flamurit në ambasadën kubane, Rodriguez paralajmëroi se “sfida është e madhe”, por tha se Havana është e gatshme për të ecur përpara “në një frymë konstruktive”.

Ai bëri thirrje për heqjen e bllokadës ekonomike amerikane në Kubë, për të cilën tha se kishte shkaktuar dëmtimin e popullit kuban.

Kufizimet për amerikanët që dëshirojnë të vizitojnë Kubën mbeten në fuqi, sikurse embargoja që u ndalon kompanive amerikane të bëjnë biznes në Kubë.

Nga ana e saj, Kuba deklaron se embargoja, të cilin e quan një bllokadë, është tejet i dëmshëm për ekonominë e saj.

Presidenti Raul Castro i ka kërkuar presidentit Barack Obama që ta heqë atë, duke e cilësuar si pengesën më të vështirë drejt normalizimit të marrëdhënieve.

Por çështja duhet të kalojë më parë për t’u votuar në Kongres. Dy presidentët njoftuan avancimin e lidhjeve diplomatike mes dy vendeve në dhjetor të vitit të kaluar.

Top Channel