Boko Haram tashmë edhe në Kamerun, ekzekuton 23 persona

21/07/2015 00:00

Militantët e Boko Haram kanë ekzekutuar me mijëra persona në Nigeri, por së fundi kanë zgjeruar hartën e tyre të sulmeve duke kaluar edhe në Kamerun.

Bëhet e ditur se të paktën 23 persona janë vrarë gjatë së hënës në një fshat në veri të Kamerunit, nga persona të cilët dyshohen si militantë të Boko Haram. Një pastor nigerian, i cili punon në fshatin kufitar ku ndodhi sulmi, tha se ishin rreth 80 militantë të cilët terrorizuan banorët, duke ekzekutuar edhe disa fëmijë.

Banorët kishin kërkuar një javë më parë ndihmën e ushtrisë, pasi persona të dyshuar si militantë të Boko Haram kishin kryer një sulm në një fshat të afërt.

Së fundi, Boko Haram ka vënë në shënjestër Kamerunin, në shenjë hakmarrje për pjesëmarrjen e këtij shteti në koalicionin rajonal kundër ekstremistëve.

Një javë më parë, 14 persona mbetën të vdekur pas një sulmi me bombë në një lokal në veri të Kamerunit.

Top Channel