Turqia do të përforcojë sigurinë në kufi me Sirinë

21/07/2015 00:00

Kryeministri turk, Ahmet Davutoglu ka premtuar se do të rrisë sigurinë përgjatë kufirit të vendit të tij me Sirinë, pasi 30 persona u vranë nga shpërthimi i një bombe në qytetin Suruç.

Hetuesit deklarojnë se atentati dyshohet të jetë shkaktuar nga një grua kamikaze, e dërguar nga Shteti Islamik.

Korrespondentët e mediave ndërkombëtare thonë se Turqia po gjurmon militantët pas akuzave të mëparshme se i kishte injoruar ata.

Por shpërthimi shkaktoi një protestë të dhunshme në Stamboll, me policinë që përdori pompa me ujë, gaz lotësjellës dhe plumba gome për të shpërndarë manifestuesit.

Ngjarja e së hënës goditi një grup aktivistësh të rinj që kishin planifikuar të kalonin kufirin për në Siri dhe të ndihmonin në rindërtimin e qytetit të Kobanes.

Një video e publikuar tregon grupin që po mbante një konferencë për të diskutuar mbi planet, kur një shpërthim ndodh papritur mes anëtarëve të tij, shumica e të cilëve studentë, të mbledhur në një qendër kulture.

Kobane ndodhet fare pranë Suruçit, përtej kufirit dhe ka qenë skenë e luftimeve të ashpra mes ISIS dhe luftëtarëve kurdë.

Qyteti u rimor nën kontrollin e kurdëve në janar dhe Suruçi ka strehuar shumë refugjatë sirianë që u janë larguar luftimeve në Kobane.

Top Channel