Japonia çensuron aktivitetet detare të Kinës

21/07/2015 00:00

Raporti vjetor mbi mbrojtjen në Japoni ka përforcuar kritikat ndaj pretendimeve territoriale të Kinës në zonat e diskutuara detare.

Dokumenti u aprovua nga kryeministri Shinzo Abe ditën e martë, pasi drafti i parë u refuzua nga partia e tij për faktin se nuk përmbante mbajtjen e një qëndrimi të fortë ndaj Kinës.

Publikimi i dokumentit vjen pasi dhoma e ulët e Parlamentit aprovoi ndryshimet në ligjin për sigurinë kombëtare.

Ndryshimet në fjalë do t’u lejojnë trupave japoneze që të luftojnë në vende të huaja, për herë të parë që nga Lufta e Dytë Botërore. Ato pritet të aprovohen nga dhoma e lartë.

Kina reagoi ashpër ndaj miratimit paraprak të ndryshimeve, duke i bërë thirrje Japonisë që “të ndjekë shtegun e zhvillimeve paqësore dhe të shmangë cënimin e stabilitetit të rajonit”.

Kina pretendon sovranitetin thuajse në të gjithë Detin e Kinës së Jugut, ku pretendime kanë edhe Filipinet, Malajzia, Vietnami, Taivani dhe Brunei.

Pekini zyrtar ka gjithashtu pretendime ndaj territorit detar japonez, mbi ishujt të njohur si Senkaku në Japoni dhe Diaoju në Kinë.

Top Channel