Brazil, rritet kriminaliteti në shtetin e Amazonës. 35 vrasje në fundjavë

21/07/2015 00:00

Policia brazilianë në qytetin verior Manaus po heton mbi 35 vrasje të kryera gjatë fundjavës.

Hetimet filluan pasi një oficer policie u qëllua për vdekje jashtë një banke, ngjarje që u pasua nga një seri vrasjesh të tjera, që sugjerojnë se kanë qenë të koordinuara.

Autoritetet po hetojnë për të verifikuar nëse vrasjet kanë qenë vepër e një lufte mes bandave, apo reagim i agjentëve të policisë për të marrë hak për kolegun e vrarë.

Në qytetin e Manausit regjistrohen dy deri në tre vrasje në ditë. Natyra e ekzekutimeve ka bërë që të rriten dyshimet mbi përfshirjen e policisë.

Autoritetet lokale deklarojnë se një pistë tjetër e mundshme është larja e hesapeve mes bandave të drogës.

Manaus, kryeqytet i shtetit të Amazonës, ishte një nga qytetet që priti ndeshjet e Kupës së Botës 2014 dhe që pritet të presë ndeshje futbolli të Lojrave Olimpike 2016.

Krimet me armë zjarri në vend kanë arritur nivelin më të lartë në 35 vjet, sipas një raporti të fundit të Kombeve të Bashkuara.

Në bazë të të dhënave të fundit rezulton se të paktën 42 mijë persona u qëlluan për vdekje në vitin 2012.

Top Channel