Korçë, 3 të arrestuar për shkelje të rregullave të qarkullimit

21/07/2015 00:00

Në kuadër të masave për parandalimin e aksidenteve gjatë sezonit turistik, strukturat e policisë së Korçës kanë ndërmarrë orët e fundit një seri kontrollesh, duke arrestuar 3 persona dhe proceduar një të katërt për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Sipas një njoftimi për shtyp të drejtorisë lokale të policisë, nga tre personat e arrestuar, njëri akuzohet për drejtim automjeti në gjendje të dehur, ndërsa dy të tjerët për drejtim të motorçikletave të papajisur me targa dhe pa leje drejtimi.

Ndërsa personi i katërt, një 25-vjeçare, i është nënshtruar procedimit në gjendje të lirë pasi duke drejtuar pa lejen e qarkullimit automjetin e saj ka dalë nga rruga dhe është përplasur.

Për pasojë ka mbetur e plagosur ajo vetë dhe një pasagjer që po udhëtonte me të. Dy të lënduarit janë dërguar në spitalin rajonal të Korçës, ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Top Channel